E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Inceneratorët, Meta: Afera u krye me garanci të Ramës! Prokurorët e SPAK janë nën presion politik

Kreu i Partisë së Lirisë (PL), Ilir Meta ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po ushtron presion ndaj SPAK për të penguar hetimet ndaj çështjes së inceneratorëve.

I ftuar në emisionin “Publikisht” në RTSH, Meta u shpreh se veprimet e institucioneve të drejtësisë kanë qenë shumë të ngadalta dhe “me regji politike”. I pyet mbi veprimet që do të marrë PL, pas denoncimeve të shumta në SPAK, Meta u shpreh se ata do të rrisin presionin publik.

“Kemi një reagim shumë të ngadaltë dhe me regji politike. Nuk kemi të bëjmë me përgjegjësi individuale, por organizatë kriminale, kemi të bëjmë me një aferë që nuk e bën një individ, por me përgjegjësinë e kryeministrit. Një vendim nuk hy në qeveri nëse një kryeministër e kundërshton. Nuk ka patur parti më bashkëpunuese me SPAK, por e vërteta është që inceneratori i Fierit është nën sekuestro, por lekët i ka marrë, lekët shkojnë nga këtu në Holandë. Këto janë fakte nuk janë retorikë. Ne jemi në dispozicion të SPAK. Prokurorët e SPAK janë në presion të madh politik. Rama i mban në presion prokurorët dhe gjyqtarët. Ne do bëjmë gjithçka që të rrisim presionin publik që ata të dalin dhe të shpëtojnë sistemin”, tha Meta.

 LSI ka denoncuar disa kompani se kanë kryer evazion fiskal përmes inceneratorëve, ku pronar të disa kompanive miliona dollarësh rezultonin në pronësi të një çifti pensionistësh.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›