E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Sulmi kibernetik ndaj sistemit TIMS, Meta në “Publikisht”: Autor nuk është Irani, por është goditur nga brenda

Kreu i Partisë së Lirisë (PL), Ilir Meta ka deklaruar se pas sulmit kibernetik ndaj sistemit TIMS me të cilin u përball Shqipëria, nuk është Irani, sikurse deklaroi qeveria.

I ftuar në emisionin “Publikisht” në RTSH, teksa pranoi se nuk ka prova për të vërtetuar deklaratën e tij, Meta shtoi se dyshon që sulmi u krye nga brenda vendit, me qëllimin për të patur hyrje-dalje të pakontrolluara në vend. Sipas Metës, ditën që sistemi TIMS ra, ka patur një trefishim të fluturimeve drejt Dubait.

“Prokuroria mori një akt ekstrem dhe ndaloi mediat që të mos publikojnë materialet. Reagim që është bërë nën diktimin e kryeministrit që tregon se kemi një depërtim më të thellë dhe rrëzim të të gjithë sistemit. Bankave i kërkoi të ishin të integruara te ealbania, pra të mos kenë sistemin e vet të pavarur, ja imponoi ndërkohë që ai e dinte që sistemi ishte në hakërrim prej një kohe të gjatë. Bankat nuk e pranuan, por kjo nuk u bë për t’i mbrojtur bankat, dyshoj se sistemi TIMS nuk u godit nga Iranianët, sistemi TIMS nuk mund të goditet nga jashtë, por nga brenda është bashkëpunimi brendshëm dhe të dhënat e asaj dite, kishim një trefishim të fluturimeve drejt Dubait. Për çfarë u bë gjithë kjo?”, tha Meta.

Sistemi TIMS u sulmua mbrëmjen e 9 shtatorit, ku për pasojë për pak kohë u paralizua punë në aeroportin e Rinasit, por pas ndërhyrjeve, u arrit që të viheshin në punë dy sportele, ku u punua me regjistra në mënyrë manuale për të regjistruar hyrjet dhe daljet. Sistemi TIMS u rikthye në të gjitha pikat kufitare pas 24 orësh. Ndërkohë, në korrik u sulmuan shërbimet online, ku prej gati 4 javësh ato mbetën të bllokuara. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se përgjegjës për të dy sulmet është Irani, ndërsa për këtë arsye Shqipëria mori vendimin për të prishur marrëdhëniet diplomatike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›