Meta: Nuk kam asnjë problem me ligjin, është Rama që duhet të jetë para ligjit

Kryetari i PL-së, Ilir Meta, në emisionin “Publikisht” në RTSH deklaroi se nuk ka shqetësim me ligjin dhe se nuk e shqetëson asnjë padi që është bërë ndaj tij në SPAK. Sipas tij, drejtësia është nën presionin e politikës.
“Ne kemi bërë ato paditë tona. Jemi në dispozicion. Çdo vonesë është me pasoja për vendin dhe institucionet e drejtësisë, pasi janë institucione për të cilat shqiptarët paguajnë shumë, sepse përfaqësuesit në drejtësinë e re kanë pagat 3 fish të Presidentit. Ata janë në presion të madh të politikës dhe politika ka përgjegjësinë e saj që jemi në këtë situatë me drejtësinë. Opozita i dha mundësi Ramës për ta kapur sistemin, sepse ai përmes qeverisë mban nën presion prokurorët dhe gjyqtarët. Ne duhet të bëjmë diçka që ata të dalin nga ky presion dhe të punojnë në mënyrë të pavarur që të shpëtojnë edhe sistemin demokratik. Rama, i cili duhet të jetë përballë drejtësisë sepse ka shkelur ligjin, mundohet të vendosë drejtësinë përpara popullit. Unë nuk kam asnjë shqetësim për paditë ndaj meje. Përditë të çojnë padira. Unë kam detyrim që sa herë të më thërrasë SPAK, jam i detyruar të them që më pyetën për këtë çështje dhe dhashë këtë përgjigje. Nuk ka në këtë planet asnjë problem që krijon shqetësim mes Ilir Metës dhe ligjit. Kurrë”, tha kreu i PL-së.
/rtsh.al/