Inceneratori i Tiranës, GJKKO dënon me tre vite burgim ish-ministrin Lefter Koka

TIRANË, 16 prill /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit ka shpallur sot vendimin për ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, i cili akuzohet për përfshirje në aferën e inceneratorit të Tiranës, Elbasanit dhe Fierit.
GJKKO e shpalli fajtor ish-ministrin Koka për aferën e inceneratorit të Tiranës, duke e dënuar atë me 3 vite heqje lirie, por ish-ministri përfiton edhe nga gjykimi i shkurtuar me uljen e dënimit me një të tretën. Dënimi iu ul me 1 vit dhe për 2 vitet e mbetura, izolimi rreth çështjes quhet i vuajtur.
Ish-ministri i Mjedisit nuk e përfiton lirinë, pasi mbi të rëndojnë akuzat edhe për dy inceneratorët e tjerë, atë të Elbasanit dhe Fierit.
Sa i takon ish-zyrtarëve të tjerë të pandehur të kësaj çështje, GJKKO ka dënuar me 2 vite burg Taulant Tushën, ish-drejtor i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, Bledar Karolin, Erjon Muratajn, Namik Simixhiun e Valbona Ballgjinin, ndërsa kësaj të fundit i është konvertuar në shërbim prove.
Lefter Koka është deklaruar fajtor nga Gjykata e Apelit të Posaçëm për veprat penale, “Shpërdorim detyre”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Po ashtu Apeli i Posaçëm, ka sekuestruar edhe disa pasuri të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte paraqitur pranë GJKKO gjykimin për veprën penale shpërdorim detyre ndaj të pandehurve Lefter Koka, Pëllumb Abeshi, Bledar Karoli, Erjon Murataj, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Etleva Kondi, Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Silena Tola dhe Jetmir Llapaj.
Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtare Elsa Ulliri. /r.e/a.f/