E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incident në Kupë, Levi sulmohet me topa bore

KORCE- Ka përfunduar me një incident aspak të këndshëm ndeshja e djeshme mes Vllaznië dhe Skënderbeut, e vlefshme për fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Pas përfundimit të 90 minutëshit, që u mbyll 0-0 dhe dy skuadrat morën nga një pikë, trajneri i ekipit korçar Stanislav Levi është sulmuar live në televizion nga tifozët vendas. Tekniku çek ishte duke folur për Supersport, kur tifozët shkodranë nisën ta godisnin me topa bore, duke shkaktuar një moment vërtet të çuditshëm. Nuk qëndroi pasiv as trajneri Levi, që u kthye menjëherë prej tyre, duke bërë një shenjë nervozizmi të tipit: "më godisni në ballë". Nga ky moment, gjërat u acaruan më shumë dhe përveç borës, një tifoz i irrituar u fut edhe në fushë, duke tentuar të sulmojë teknikun e Skënderbeut. Duke qenë se ndeshja kishte mbaruar, aty nuk kishte më polici dhe për t'u mbrojtur, Levi është detyruar të vrapojë, bashkë me përkthyesin e tij. Një moment, sa komik, aq edhe i rëndë për futbollin shqiptar, ku një trajner e ka të vështirë të flasë edhe përpara mediave, pasi është nën rrezikun e tifozëve kundërshtarë. Stanislav Levi e la në mes intervistën, ndërsa goditja e tij me topa bore, qe një gjest vërtet i ulët. Për më tepër, ajo ndodhi në një prej stadiumeve kryesore të vendit dhe në një prej qendrave të kulturës, siç është Shkodër. Në "Loro Boriçi", aktet e dhunës kanë qenë thuajse inekzistente vitet e fundit, ndonëse Vllaznia ka patur shumë raste kur është ndëshkuar nga arbitrat.
NDESHJA
Vllaznia-Skënderbeu ka qenë përballja më e fortë e ndeshjeve të treta në grup, të luajtura dje. Në "Loro Boriçi", trajneri Rudi Vata ka kërkuar të konsolidojë pozitat në vendin e dytë, pas disfatës në Vlorë dy javë më parë. Përballë ka qenë ekipi kampion në fuqi, tek i cili trajneri Stanislav Levi nuk ka bërë asnjë ndryshim nga emrat që luajtën në takimin me Tomorin në kampionat. Edhe pse inferiore në emra në krahasim me korçarët, Vllaznia ka qenë më e rrezikshme në fushën e lojës, duke e vënë shpesh në vështirësi Skënderbeun. Edhe pse presioni ka qenë i vazhdueshëm nga ana e shkodranëve, rezultati nuk ka ndryshuar deri në fund dhe të dyja skuadrat kanë marrë nga një pikë. Korçarët luajtën me 10 vetë që nga minuta e 48-të, pas daljes me karton të kuq të Bratiç. "Jam shumë i kënaqur nga mbrojtja e skuadrës, por jo nga të rinjtë që futa si zëvendësues, - tha në fund trajneri i Vllaznisë Rudi Vata. - Na mungon një finalizues i mirë".
FLAMURTARI
Për fatin e Vllaznisë, Flamurtari nuk ka shkuar më shumë se një barazim pa gola ndaj Laçit, në ndeshjen e luajtur në stadiumin "Selman Stërmasi" të kryeqytetit. Vlonjatët nuk janë shfaqur një ekip i frikshëm përballë kurbinasve, të cilët edhe pse luajnë jashtë fushe për shkak të dënimit të marrë nga Komisioni i Disiplinës, janë ende në garë për kualifikim. Duke parë ecurinë e grupit B, vendi i dytë duket se do të vendoset nga sfida Vllaznia-Flamurtari.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›