E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incident në Rinas, avionit i thyhet xhami i parë

 

Pasagjerët kanë kaluar disa momente të vështira teksa piloti është ulur në kushte aspak normale në pistën e Rinasit

TIRANË- Një incident i ndodhur vetëm pak metra larg aeroportit të Rinasit ka shkaktuar panik tek dhjetëra pasagjerë të një linje ajrore me Greqinë. Xhami i parë i pilotit të avionit pësoi një defekt dhe teksa po ulej në aeroportin shqiptar, është thyer. Kjo solli krijimin e një vakuumi dhe uljen e rrezikshme në pistën e Rinasit. Fatmirësisht, ngjarja kaloi pa asnjë problem për pasagjerët që ndodheshin në bordin e avionit që vinte nga Greqia. Burimet pohuan se avioni është pjesë e një linjë ajrore greke dhe po kryente fluturimin e radhës Athinë – Tiranë. Por, kur po përgatitej të ulej, në pistën e aeroportit“Nënë Tereza” në Rinas, ndodhi edhe defekti që çoi në thyerjen e xhamit të kabinës së pilotit në ajër. Si rrjedhojë u rrezikua jo vetëm jeta e ekuipazhit të avionit, por dhe e pasagjerëve. Megjithatë, piloti arriti të ulë avionin në pistë. Të dhënat tregojnë se ai duhet të ishte ulur në aeroportin e Rinasit në orën 09:40 dhe të nisej sërish drejt Greqisë në orën 10:23. Pasagjerët e radhës që prisnin të kryenin fluturimin nga Tirana për në Athinë, mundën të niseshin pas rreth katër orësh, vetëm pas ardhjes së një avioni tjetër. Avioni i prishur qëndroi deri në orët e mbrëmjes në Rinas, duke bërë riparimet përkatëse. Ende nuk është përcaktuar shkaku i këtij defekti. Bëhet fjalë për një kompani ajrore “loë cost”, e cila kryen kryesisht fluturime Tiranë- Athinë ose Tiranë- Selanik. Ndërkohë, burimet zyrtare të aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit konfirmuan vonesën e avionit, por siguruan se ai ishte krejtësisht brenda standardeve. “Avioni u nis me vonesë për arsye teknike. Probleme teknike mund të ndodhin. Të gjitha kompanitë që operojnë në aeroport janë të besueshme dhe avionët e tyre janë të kontrolluar sipas çdo standardi nga autoritetet e aviacionit civil të të dy shteteve, andej nga niset avioni dhe aty ku mbërrin”,- tha dje Drejtoresha e Komunikimit e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, Arlinda Çausholli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›