Cristicchi, sot koncert në Tiranë
Këngëtari italian, Simone Cristicchi, fitues i edicionit të fundit të Festivalit të Sanremos, këndon sot në orën 19.00 në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Christicchi ka nënshkruar një kontratë bashkëpunimi me Festivalin “Giffoni Italia” dhe është i ftuari special i Festivalit të Filmit për Fëmijë e të rinj, që po zhvillohet këto ditë. Ai do të këndojë pikërisht në mbrëmjen “Gala” të Festivalit “Giffoni Albania”, në TKOB, gjatë ndarjes së çmimeve për filmat më të mirë që konkurruan në këtë edicion të katërt. Simone Cristicchi, i njohur më së shumti në Shqipëri me këngën “Ti regalero una rosa”, do të këndojë për rreth 40 minuta live. Në mbrëmjen “Gala” marrin pjesë edhe të tjerë këngëtarë shqiptarë.