Kryepolici: Së shpejti arrestime të shumta në Lazarat
DEKLARATA/ Drejtori i policisë së Gjirokastrës tha se të gjithë kultivuesit e drogës janë identifikuar
GJIROKASTËR- Lazarati nuk do të jetë për një kohë të gjatë problem për kultivimin e lëndëve narkotike apo të shtënat me armë. Të paktën, kjo është ajo çka deklaroi dje drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Arben Hyseni. Lidhur me këtë çështje, kreu i bluve tha se të gjithë kultivuesit e bimëve narkotike dhe autorët e të shtënave në ajër “janë të identifikuar dhe për ta kanë nisur edhe procedimet penale”.
Deklarata
“Nuk kemi ardhur në Gjirokastër për t’i shpallur luftë ndonjë komuniteti të caktuar”,- tha dje për mediat kryepolici Hyseni, ndërsa foli për zonën më të nxehtë të gjithë qarkut të Gjirokastrës. Ai deklaroi se zbatimi i ligjit në Lazarat, si dhe në të gjithë territorin e qarkut përbën një prioritet të punës së tyre. “Qëllimi ynë është zbatimi i ligjit njësoj për të gjithë dhe këtë duam të arrijmë edhe në Lazarat”,- u shpreh Hyseni, ndërsa pranoi se në këtë fshat ka shumë probleme, si përsa i përket kultivimit të bimëve narkotike, ashtu edhe të shtënat e pakontrolluara të armëve”. Sipas tij, këto veprime kanë vënë në rrezik jetën e banorëve. Por kryepolici përmendi si probleme të Lazaratit edhe përdorimin e adoleshentëve nga disa elementë të inkriminuar, qarkullimin e shumë automjeteve pa dokumentacion, ndërsa theksoi se për këto nuk do të penalizonin të gjithë banorët. “Ne, në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit, i kemi identifikuar personat problematikë, të cilët janë në minorancë krahasuar me banorët e ndershëm. Për ta ka nisur procedimi penal dhe së shpejti do të kapen”,- përfundoi kryepolici i Gjirokastrës.
Arrestimi
Ndërkaq, dje po nga policia e Gjirokastrës u sekuestruan 3,2 kilogramë lëndë narkotike dhe u vu në pranga Elton Kanani. Ky i fundit e kishte lënë lëndën e dyshuar në banesën e një shtetaseje, banore e lagjes “Zinxhira” të qytetit.
HASANI
Problemet kryesore në Lazarat:
-kultivimi i bimëve narkotike
-të shtënat e pakontrolluara të armëve
-përdorimi i adoleshentëve nga disa elementë të inkriminuar
-qarkullimin i shumë automjeteve pa dokumentacionin e duhur