E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Loja kineze" dërgon në spital 26 vetë

 

ALARMI/ Policia zbuloi se “helmimi” u shkaktua nga një qese, e cila kishte erë shumë të fortë

KURBIN - 20 nxënës dhe 3 mësues të shkollës së mesme “At Shtjefën Kurti”, në fshatin Gorre të rrethit Kurbin përfunduan në spital, pasi në ambientet e shkollës ishte hapur një qese, e cila lëshonte një erë të fortë. Fillimisht u dyshua për lëndë helmuese, por rezultoi se qesja ishte një lojë fëmijësh, e cila krijon probleme simuluese. Pas ndihmës së parë të marrë në spitalet e Laçit dhe Lezhës, nxënësit u dërguan në shtëpi, pa asnjë problem për jetën.

Ngjarja

Drejtuesit e shkollës së mesme në fshatin Gorre të rrethit Kurbin, ishin njoftuar nga nxënësit se në ambientet e shkollës ishte gjetur një qese mbi të cilën, në gjuhën italiane, përcaktohej edhe një lloj rrezikshmërie. Para se qesja e gjetur të eliminohej, ajo ishte hapur nga 3 nxënëse dhe mësuesja e tyre, duke bërë që i gjithë ambienti te kundërmonte një erë të fortë. Vetëm pak minuta më vonë, nxënëset dhe 2 mësueset e tyre ndjenë çrregullime dhe u dërguan menjëherë në spitalin e Laçit, ndërsa më vonë u ekzaminuan edhe në spitalin ushtarak të Tiranës. Pasi nuk konstatuan ndonjë problem për jetën e tyre, mjekët i lejuan pacientet të largohen. Për ngjarjen u lajmërua edhe policia e Kurbinit, e cila shkoi në vendngjarje duke bërë të mundur identifikimin e qeses dhe izolimin e saj. Pas këtij momenti, qesja u dërgua për ekzaminim të plotë dhe përcaktimin e lëndës që ndodhej në të. Dje nxënësit dhe mësuesit vijuan normalisht mësimin, por era e fortë e përhapur një ditë më parë në shkollë krijoi probleme tek një numër i madh i tyre, të cilët, të ndihmuar edhe nga forcat e policisë, u dërguan në spitalet e Laçit dhe Lezhës. Numri i tyre vazhdoi të rritet duke mbipopulluar spitalet, ndërsa një numër i madh mjekësh u vu në dispozicion për një ekzaminim të plotë të të prekurve. Nxënësit u shprehën se sapo hynë në shkollë, ndjenë aromën e fortë, e cila u shkaktoi marrje mendsh, dhimbje koke dhe të vjella. 20 prej nxënësve u dërguan në spitalin e Laçit, ndërsa 3 vajza, në gjendje më të rëndë u dërguan në spitalin rajonal të Lezhës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›