Lamtumira e sopranos ruse që jetoi dhe u preh në Shqipëri
Në 80-vjetorin e lindjes, në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit ajo, e madhja Nina Mula do të shfaqej e pamundur dhe gjithë kohës mbahej në krahun e bashkëshortit Avni Mula, që do t’i qëndronte pranë deri në momentet e fundit të jetës. Sopranoja e dhjetëra roleve në operën shqiptare, Nina Mula është ndarë dje nga jeta nga një sëmundje e pashërueshme, një muaj pasi ajo festoi 80-vjetorin e lindjes. Nina Mula (Odjankova) u lind më 23 nëntor të vitit 1931 në Izhevsk të Rusisë, në perëndim të Uraleve; u rrit në një familje të madhe, me shumë fëmijë. Vuajtjet dhe mundimet nuk i zbehën dëshirën për të studiuar në mënyrë autodidakte e për të ndjekur mësimet në shkollën pedagogjike në qytetin e lindjes. Në ‘50-ën filloi studimet e larta për kanto pranë konservatorit “Çajkovski” deri në vitin 1955. Aty ajo u njoh me baritonin shqiptar, Avni Mula, me të cilin u dashurua, u martua dhe vendosi ta ndiqte në Shkodër e më pas hap pas hapi në çdo moment të jetës. Pas prishjes me Rusinë kur shumë gra ruse të martuara me shqiptarë vendosën të kthehen në atdhe, Nina qëndroi në Shqipëri. U emërua soliste në Teatrin e Operas dhe Baletit dhe punoi aty deri në daljen në pension në vitin 1976. Opera e parë ku ajo interpretoi ishte “Jolanda” e Çajkovskit. Nina ka interpretuar në operat: “Berberi i Seviljes”, “Eugjen Onjegin”, “Rigoleto”, “Karmen”, “Paliaçi”, “La Boheme”. Nga të tëra këto role të gjithë e kujtojnë me Violetën e Verdit, e interpretuar më 1964 dhe 1972. Në operat shqiptare te “Mrika”, “Skënderbeu”, “Pranvera”, “Lulja e Kujtimit” etj. U vlerësua për vokalin dhe mjeshtërinë në interpretim, teknikën e rrallë, inteligjencën. Në vitin 1965 filloi punën si pedagoge e jashtme pranë Institutit të Lartë të Arteve. Në klasën e saj janë diplomuar më shumë se 33 studentë, të cilët do ta kujtojnë atë për përkushtimin dhe pasionin për dije. Në shtëpinë e familjes Mula, në rrugën “Kajo Karafili” në Tiranë, familjarët kanë hapur dyert në nderim të zisë ku shumë miq e kolegë kanë qenë aty për t’i dhënë lamtumirën e fundit artistes. Nuk kanë munguar as mesazhe e ngushëllimet nga krerët më të lartë të shtetit. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në mesazhin e tij shkruan ndër të tjera: “Skena shqiptare dhe arti operistik shqiptar humbën sopranon e talentuar dhe të shquar ndër vite për origjinalitetin dhe temperamentin artistik, por edhe një njeri tepër të dashur, të drejtpërdrejtë e të sinqertë”. Po ashtu, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i shprehu familjes Mula ngushëllimet për ndarjen nga jeta të artistes së madhe Nina Mula. Në mesazhin e saj, ndër të tjera shkruan se “zëri i saj heshti sot, por ky zë mbetet i pavdekshëm, sepse Nina do të mbahet mend përjetë me admirim si artistja me gjak rus, që e deshi aq shumë Shqipërinë e shqiptarët, dashuri të cilën e përcolli me aq emocion, përmes vokalit të saj të mrekullueshëm. Nina u nda sot nga ne, por la pas një pasuri të madhe muzikore, unike siç ishte ajo vetë”. Kryetari i PS-së, Edi Rama ka zgjedhur faqen e tij personale në “Twitter” për të shprehur një mesazh ngushëllimi për pedagogen e Akademisë së Arteve. “Pa Nina Mulën s'do kishim Inva Mulën dhe të tjera yje të vokalit operistik shqiptar. Një grua e pedagoge e admirueshme. U prehtë në paqe”.
Vlerësim për zonjat e teatrit dhe kinemasë
Ato do të mbeten padyshim zonjat e kinemasë shqiptare që kanë dhënë kontribut në ngritjen e kinematografisë shqiptare, skalitjen e personazheve më të njohur botërorë në skenën e teatrit, por dhe pedagoget e brezit të ri. Një vlerësim për zonjat e teatrit dhe kinemasë ishte dhe ceremonia e djeshme e zhvilluar në Presidencë, ku aktoret Drita Pelinku, Tinka Kurti dhe Margarita Xhepa janë vlerësuar me Urdhrin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, për kontributin e tyre në zhvillimin e teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Presidenti Topi ka dekoruar gjithashtu edhe aktoret Edi Luarasi dhe Roza Anagnosti me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, për kontributin e tyre në artin skenik dhe kinematografinë kombëtare, si dhe për karakteret e shumta artistike që kanë realizuar me mjeshtëri. Një tjetër Urdhër “Mjeshtër i Madh” shkoi për një figurë që gjithmonë ka mbetur në prapaskenë, por që pa të asnjë nga qindra role që janë memorizuar në kujtesën tonë nuk do të kishin qenë aq të realizuar. Ajo është piktorja e grimit në shumë filma shqiptarë, Liljana Tesho (Kabo). Gjithashtu, ky urdhër iu dha dhe një prej themeluesve të grimit artistik, Llukan Bushi.