E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incident në kufi, malazezët plumba peshkatarit shqiptar

Në një kohë që mes Shqipërisë dhe Malit të Zi po ndërtohet pika e përbashkët e kalimit kufitare Muriqan-Sukubinë, një incident i rëndë ka ndodhur pak metra më tutje. Rojat malazeze të kufirit kanë qëlluar me armë zjarri një peshkatar që ndodhej në ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:30 të së martës, në vendin e quajtur Shën Gjergj, pranë grykëderdhjes së Bunës, vetëm 20 metra larg kufirit shqiptaro-malazez. Rojat malazeze të kufirit kanë shtënë disa herë me armë në drejtim të peshkatarit Hysen Skenderaj, banor i fshatit Luarëz të Velipojës. Si pasojë 47-vjeçari ka mbetur i plagosur nga një plumb që i ka përshkuar nofullat, por fatmirësisht pa i shkaktuar dëmtime që mund t‘i rrezikojnë jetën. I plagosuri tregoi dje ngjarjen për gazetën "Shqip".

Rrëfimi

Ishte ora 17:00 dhe kisha dalë me varkë në lumë për të hedhur rrjetat. Siç dihet, e gjithë gjerësia e lumit Buna në atë vend nuk është më shumë se 30 metra, çka do thotë se rojat e kufirit shihen mjaft qartë. Është distancë shumë e vogël dhe territor neutral. Aty nuk ka as shenja ndarëse të kufirit. Gjithsesi, unë isha fare pranë bregut të territorit shqiptar kur u qëllova. Përballë meje, në bregun malazez, ishin tre persona, dy me uniformë ushtarake dhe një me uniformë policie. Ata po gjuanin peshk me grepa. Më folën në gjuhën e tyre duke më thënë: "Hajde të gjuash peshk këtu, se ka më shumë" dhe ma bënin me dorë që të shkoja tek ata. Nuk arrita të kuptoj nëse po talleshin apo e kishin seriozisht, ndaj nuk u afrova. Përkundrazi, i dhashë lundrës në drejtim të bregut tonë. Në atë moment, një nga rojat malazeze të kufirit, që ishte i veshur si polic, u shkëput nga dy shokët dhe nxori armën e qëlloi disa herë rresht. Më pas edhe një tjetër, i veshur me rroba ushtarake, qëlloi me breshëri automatiku. Sapo zbrita në tokë e kam parë veten të mbuluar me gjak. E shihja se kisha forcë të ecja dhe kam ecur 4 kilometra në këmbë deri te shtëpia e parë e fshatit. Kisha humbur shumë gjak dhe kur kam hyrë në fshat kam mbetur pa ndjenja. Me atë mënyrë që qëlluan ata mendoj se donin të më vrisnin dhe nuk arrij ta kuptoj përse e bënë këtë, kur unë isha në ujërat e vendit tonë dhe po gjuaja peshk në mënyrë krejt të rregull, me rrjeta.

Policia

Policia e Shkodrës ka ngritur një grup pune në lidhje me këtë incident dhe ka kërkuar një takim me palën malazeze. Takimi është zhvilluar në orët e vona të pasdites së djeshme. Mësohet se pala shqiptare ka kërkuar shpjegime nga pala malazeze, që nuk e ka mohuar incidentin, por është shprehur se është ngritur një grup hetimor në lidhje me ngjarjen dhe se rasti po vlerësohet maksimalisht nga autoritetet. Në të njëjtën kohë autoritetet malazeze kanë kërkuar që ky incident të merret si një rast i izoluar, individual i disa personave të papërgjegjshëm, të cilët nuk kanë të bëjnë aspak me marrëdhëniet tepër të mira që ekzistojnë mes dy vendeve. Gjithashtu, pala malazeze ka konfirmuar se mes Malit të Zi dhe Shqipërisë marrëdhëniet e bashkëpunimit vetëm sa do vinë e rriten, si rezultat i bashkëpunimit të mrekullueshëm që ekziston. Por plagosja e një njeriu që del për të fituar bukën në vendin e tij ka rikthyer te banorët e zonës ndjenjën e frikës që mbizotëronte në kohën kur kufiri i ndante me një shtet që kishte për kryeqytet Beogradin dhe jo Podgoricën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›