E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e foshnjës, Gjykata e Korçës dënon pediatren

Gjykata e Korçës ka shpallur fajtore një mjeke pediatre, e cila akuzohej nga prindërit e një foshnje për mjekim të pakujdesshëm. Dy vjet pas ngjarjes në spitalin pediatrik të Korçës, ku gjeti vdekjen foshnja 1 vjeçe Keona Llabanji, nga fshati Sul i Devollit, organet e drejtësisë kanë siguruar prova të mjaftueshme për të dënuar mjeken.

Pas një maratone seancash në gjykatë kanë qenë ekspertë të ndryshëm që janë thirrur për të dëshmuar për këtë rast dhe duket se kanë vënë pikat mbi "i", edhe pse nga ana e mjekëve pediatër kolegë të së akuzuarës mohohej se mund të konstatohej në kohë fakti se foshnja vuante nga një trup i huaj dhe pikërisht një fasule që e kishte gëlltitur dhe që i mori jetën.

Mjekja Zhaneta Babliku, sipas gjykatës, është fajtore për vdekjen e Keona Llabanjit, pasi nga ana e ekspertizave mjekoligjore dhe specialistëve pediatër nga kryeqyteti, që kanë dëshmuar në seanca gjyqësore, ajo mund të ndërhynte në kohë për të shpëtuar foshnjën. Nga ana e organit të akuzës, pas një procesi të gjatë hetimor janë paraqitur kartelat dhe grafitë, por edhe dëshmitë e specialistëve të fushës. Ndërkohë, një pjesë e madhe e mjekëve e kanë quajtur të pamundur identifikimin e fasules në trake. Fasulja u gjet vetëm pas autopsisë, pasi nuk mund të shihej gjatë radiografive, por sërish mjekja është shpallur fajtore, pasi mund të kishte konstatuar nga simptomat shqetësimet që kishte foshnja që u mbajt dy ditë në spital në gjendje të rëndë.

Në atë kohë prindërit e vajzës ishin të parët që ngritën edhe pretendimet për mjekim të pakujdesshëm nga ana e mjekes pediatre, pasi sipas tyre nuk i kishte pastruar grykët, edhe pse nga spitali i Bilishtit dhe ai i qytetit dyshohej për një pneumoni. Nga ana e prokurorisë është kërkuar që mjekja të shpallet fajtore dhe të dënohet me një gjobë prej 2 milionë lekësh. Pas një sërë seancash ku janë thirrur ekspertë të ndryshëm mjekoligjorë dhe kolegë të spitalit pediatrik të Korçës dhe Tiranës, gjykata ka konkluduar se foshnja ka vdekur për faj të mjekes, ndërsa e ka dënuar atë me 1,5 milionë lekë gjobë. Kjo është hera e parë që një mjek i akuzuar për mjekim të pakujdesshëm shpallet fajtor pas pretendimeve dhe akuzave që ngrenë të afërm të pacientëve që gjejnë vdekjen.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›