Incidente në Shkodër dhe Tiranë

Një komisionar i Partisë Socialiste në qendrën e votimit numër 345, në Kuq të Shkodrës, është goditur me shkelma dhe grushte nga 4 persona, vetëm pak minuta pasi ka dalë nga qendra e votimit, pak pasi ka nisur procesi i votimit.
Komisionari i PS-së tha se kishin qenë militantë të PD-së të cilët e kishin goditur.
“Tek qendra e votimit ngula këmbë për të zbatuar rregullat e ligjit.Në një moment kur dola jashtë më qëlluan 3- 4 vetë njëherësh me çfarë kishin në dorë. Më qëlluan me grushte dhe më bënë në këtë gjendje që jam“, ka thënë komisionari i Partisë Socialiste Bahri Meti.
Votimi në njësinë numër 345 në Kuç të Shkodrës është ndërprerë, për tu rinisur më vonë , ndërkohë që komisionari i lënduar i PS-së është dërguar për mjekim në Spitalin e Shkodrës.
Një incident tjetër është shënuar në afërsi të Qytetit Studenti, në Tiranë, në qendrën e votimit 1718 të njësisë numër 2, ku janë sulmuar gazetari dhe operatori i Top Channel.
Sipas burimeve në vendngjarje, gazetari Marin Mema dhe operatori Eno Çuçllari janë abuzuar nga disa persona, ndërkohë që kamera e Top Channel është sekuestruar.
Ekipi i xhirimit të Top Channel ishte duke shkuar në qendrën e votimit të Qytetit Studenti, pas sinjalizimit të kapjes së dy personave me karta të falsifikuara identiteti.
“Morëm informacion për kapjen e dy kartave të falsifikuara. Shkuam për te bere filmim dhe aty kemi hasur ne reagimin e 20-30 personave që na kanë sulmuar operatorin dhe i kanë marrë kamerën”, është shprehur Mema.
Ndërkohe disa ore me vone është gjetur kamera ne zotërimin e një adoleshenti, qe sipas burimeve policore nuk ishte personi qe e sekuestroi atë.