E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duan komunë

Banorët e Orllanit po kërkojnë me ngulm që fshati i tyre të shndërrohet në komunë. Për këtë, ata i kanë shkruar edhe Ministrisë së Pushtetit Lokal. Kryetari Nuhi Selimi beson se, nëse Orllani merr statusin e komunës, atëherë shumë probleme të tyre do të zgjidheshin. Nga Lirita Halili më 08 maj 2011 në ora 09:03

Kërkojnë rikthimin e statusit që ata kishin.

Banorët e Orllanit me gjithsej 10 fshatrat e tij përreth, që kur ka përfunduar lufta, po mundohen me mish e me shpirt që ta kenë një komunë të tyre, ashtu siç e kishin deri në vitin 1965.

E që nga ajo kohë, duke mos e pas statusin e komunës, banorët e kësaj pjese të Kosovës rrëfejnë për Express se Orllani nuk ka përfituar asgjë nga pushteti lokal. Prandaj shumica nga ta e kanë lëshuar fshatin.
Isa Ramadani është njëri ndër arsimtarët e shkollës fillore “Zahir Pajaziti” në këtë fshat.

Ai deri para pak vitesh jetonte në Orllan. Por, në pamundësi për të mbajtur familjen e tij, Isa është detyruar të shpërngulet në Prishtinë. Dhe kështu ai për çdo ditë udhëton nga kryeqyteti për në Orllan për të mbajtur orët e tij të mësimit.
“Rruga është në gjendje të mjerueshme, por, pavarësisht kësaj, unë duhet të udhëtoj sa herë që kam mësim deri këtu”, rrëfen Isa për Express.

Ai tregon se nuk ka ikur nga Orllani vetëm pse ka dashur të jetojë në Prishtinë. Por, thotë se këtë e ka bërë për fëmijët e tij.

“Duke e parë që këtu askush nuk po na merr parasysh, u detyrova që të iki, në mënyrë që fëmijët e mi të përparojnë”, sqaron ai.
“E njëjtë si unë kushtet e vështira që ka ky fshat, ka bërë që edhe shumë banorë tjerë të ikin nga këtu, për të gjetur punë në qytetet tjera”.

Por, pavarësisht shpërnguljes së tij, Isa Ramadani thotë i bindur se nëse Orllani do të njihej si komunë, ai pa menduar dy herë do të kthehej në vendlindje. Kjo sepse ai beson se nëse fshati i tij bëhet komunë, do të hapet ndonjë fabrikë aty, ku shumica e banorëve do të jenë të punësuar.

“Prandaj ne gjithmonë e kemi biseduar me kryetarin edhe gjithmonë e kam ëndërruar se Orllani do të jetë komunë”, pohon ai.
“Sepse e ka pozitën të tillë dhe bukuritë natyrore që e meriton një status të tillë”, thotë mësuesi Isa Ramadani.

Përveç faktit se Orllani ka qenë komunë para shumë vitesh, ky mësues beson se fshati i tij i përmbush të gjitha kërkesat për të qenë një komunë edhe tash.
“Arsye tjetër pse duhet të jemi komunë është se Orllani përreth i ka 10 fshatra. E përveç kësaj jemi shumë larg prej Prishtinës dhe Podujevës”, sqaron Ramadani.
E duke e parë që fshatit dita-ditës po i pakohen banorët, Nuhi Selimi, kryetar i Orllanit dhe i fshatrave përreth, është detyruar të ndërmarrë diçka. Me një kërkesë të të gjithë banorëve ai menjëherë pas luftës është takuar me Lutfi Hazirin, i cili atëkohë ishte kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës. Arsyeja e këtij takimi ishte pikërisht kërkesa që Orllanit të bëhet komunë e veçantë. Por, që nga ajo kohë asgjë nuk ka lëvizur. Kjo pjesë po vazhdon të mbahet me Podujevë.

Duke e parë që askush nuk po e merr më parasysh dëshirën e banorëve, Nuhi Selimi është detyruar që edhe një herë t’ia kujtojë pushtetit kërkesën e bërë në vitin 2001. Ai ka bërë një kërkesë në formën e shkruar, të cilën më pas e ka dërguar në Ministrin ë e Pushtetit Lokal. Megjithatë, edhe Nuhiu e di mirë se kërkesa e tyre është problem të realizohet.

“E më nuk kam pas takime me askënd sepse tash është rendi që pushteti të marrë iniciativë, sepse atëherë kështu ka qenë marrëveshja”, tregon Selimi për Express.
Por, ai thotë se kjo zvarritje e statusit të komunës së tyre nuk do të zgjasë edhe shumë.

“Po presim nëse dikujt i bie ndërmend për neve, e nëse nuk u bie ndërmend, duhet me e shkund prapë zjarrin”, pohon kryetari i fshatit Nuhi Selimi, i cili e di shumë mirë që Orllani me rrethinë nuk i plotëson ndoshta kushtet për nga numri i banorëve që të jetë komunë.

“E di shumë mirë që me banorë e me ekonomi nuk i plotësojmë kushtet, por po shpresojmë që si komunë turistike ta marrim statusin e dëshiruar”, u shpreh udhëheqësi i fshatit.
Përveç që i sjell komunës shumë përfitime, Selimi beson se çështje e zgjidhjes së statusit do të ndikoj drejtpërdrejt edhe te banorët. Kjo sepse, sipas tij, viteve të fundit është pakuar dukshëm numri i tyre.
“Shumica nga banorët janë shpërngulë nga këtu. Ka fshat që është vetëm me nga tri shtëpi. Para luftës kemi qenë afër 6 mijë, kurse tash as 2 mijë nuk jemi”, u shpreh ai.

Duke i përmendur të gjitha problemet që ka fshati të cilin ai e udhëheq, Nuhiu thotë se po të ishte Orllani komunë, ikja e banorëve nga aty nuk do të ndodhte kurrë.
“Do të kishim mbijetuar nga turizmi, rrugët do t’i kishim të rregulluara, njerëzit do të përfitonin nga turistët. Gjithçka do të ishte në rregull”, thotë ai.
“Por, duke mos qenë komunë në vete, nuk kemi as donacione. Madje edhe këtë ujë që e kemi e pinë të tjerët, sepse ne nuk kemi rrjet të ujit”, u shpreh i bindur Nuhi Selimi, për të cilin janë të gjitha këto probleme për të cilat ai beson se do t’i rregullonte vetëm kërkesa e tyre.

Edhe përkundër asaj që gjithçka do të rregullohej me marrjen e statusit si komunë e veçantë, Selimi nuk shprehet optimist që kërkesa e banorëve, të cilët ai i përfaqëson, do të realizohet ndonjëherë.

“Pushteti nuk ka kohë njëherë të merret me ne e aq më pak me jetën e qytetarit. E derisa ata të vendosin për problemin tonë, ne do të vazhdojmë të ballafaqohemi me problemet që deri tash na kanë përcjellë”, tregon ai.

Sidoqoftë, përveç liqenit të Batllavës, nga i cili banorët shpresojnë se do të kenë përfitime gjatë sezonit të verës, në fshatin Orllan ndodhet shkolla fillore, e mesme, objekti i komunës dhe ai i policisë, të gjitha këto të ndërtuara që nga viti 1965, kur ky fshat ishte komunë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›