Incidentet në Bathore e Kashar, tre në pranga
TIRANË- Policia e Tiranës ka njoftuar sot se ka vënë në pranga tre perosna të akuzuar për incidentet e djeshme në Bathore e Kashar dhe ka shpallur në kërkim të akuzuarit e tjerë.
Gjatë një deklarate për mediat, zëdhënësja, Alma Katragjini ka bërë me dije se për ngjarjen në Kashar janë arrestuar Luan Sulaj, 32 vjeç dhe Viktor Sulaj, 27 vjeç; me banim në Kashar të Tiranës. Sipas policisë arrestimi i tyre u bë pasi dyshohet se në Kashar për motive të dobëta, kanë kanosur me armë dhe goditur me sende të forta vëllezërit Fatjon dhe Genci Kamberi, përkatësisht 26 dhe 33 vjeç; që të dy banues në Kashar.
Për këtë ngjarje janë shpallur në kërkim policor personat me emrat përkatës: Alfred Sula, Ismail Sula, Ramazan Sula dhe Ndriçim Lleshi- tha ajo, duke shtuar se ata akuzohen për veprën penale Kanosjes, Plagosje e lehtë me dashje dhe Prodhimit dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake.
Ndërkohë për ngjarjen në Bathorë është vënë në pranga Krenar Baja, 21 vjeç, me banim në Bathore Tiranë. Arrestimi i tij u krye në orën 24.00 sepse pas një konflikti midis simpatizantëve të dy subjekteve politike, ky person dyshohet të jetë autor i dëmtimit të dy automjeteve tip Volzvagen Bora dhe Golf, në pronësi të personave Elvis Vladi, 20 vjeç dhe Ardian Ali, 26 vjeç, banues në Tapizë- thuhet në komunikatën e policisë.