E Diel, 1 Nëntor 2026

“Qytetarët do ndëshkojnë demagogjinë, vota e tyre do të jetë për veprat”

11-04-2011 / Gazeta 55

LSI prezanton në Fier kandidatët e “Aleancës për Qytetarin”


Lëvizja Socialiste për Integrim, pjesë e koalicionit të madh “Aleanca për Qytetarin”, prezantoi dje kandidatët e saj për 4 komuna të rrethit të Fierit. Agim Toro në komunën Kurjan, Sotir Zarka në komunën Topojë, Nikolla Zaka në komunën Libofshë dhe Arjan Bogdani në komunën Portëz, shpalosën alternativat përkatëse për secilën zonë ku garojnë për kryetar komune.
Nga ana e tij, kreu i LSI-së, Ilir Meta shprehu njëkohësisht mbështetjen për kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” në bashkinë e Fierit, Ilir Bele si dhe për njësitë e tjera të qeverisjes vendore në këtë rreth.
Sipas Ilir Metës “Aleanca për Qytetarin” mbart filozofinë se këto zgjedhje janë për qytetarin.
“Ne ecim drejt 8 majit me bindjen e plotë se të gjithë qytetarët shqiptarë në Tiranë e në Fier dhe kudo në të gjithë Shqipërinë janë të qartë se zgjedhjet e 8 majit janë në radhë të parë për to. Edhe në Fier janë për ta. Dhe jam shumë dakord me kandidatin e ‘Aleancës për qytetarin’, nuk duhet të punojë më Fierin për kryetarin Bashkisë, por duhet të punojë kryetari i ardhshëm i Bashkisë për Fierin. Ndaj jemi dhe sot këtu për të dhënë mbështetjen tonë për një ndryshim të rëndësishëm për qytetin e Fierit në radhë të parë dhe ndaj unë ashtu sikurse gjithë ju shpreh përkrahjen për fitoren e Ilir Bele edhe si kandidat i LSI-së për Bashkinë e Fierit. Këto janë zgjedhje për të zgjidhur problemet e qytetarëve. Këto nuk janë zgjedhje për t’u fshehur pas sloganeve absurde. E vetmja rrugë ishte slogani i denjë para 25 vjetësh kur njerëzit nuk lejoheshin të mendonin ndryshe. Sot të parët janë qytetarët dhe më 8 maj të parët do të jenë qytetarët e Fierit. Dhe ata me votën e tyre më 8 maj jo vetëm do të votojnë për një kryetar të ri të bashkisë, por njëkohësisht edhe për një bashkëqeverisje në mënyrë transparente të bashkisë së Fierit në mënyrë që taksat që paguajnë qytetarët e Fierit për shërbimet që duhet të bëjë bashkia e tyre të administrohen në mënyrë korrekte dhe t’u kthehen sërish atyre”, tha Meta.
Duke u ndalur te beteja politike për bashkinë e Fierit, Ilir Meta theksoi se, për të duhet një kryetar, i cili t’i shërbejë qytetarëve dhe qytetit. Sipas tij, “Aleanca për Qytetarin” mbështet fuqishëm kandidatin Ilir Bele.
“Ky është një nga qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë një qytet me potenciale të jashtëzakonshme njerëzore e sidomos intelektuale ndaj dhe kërkon një drejtim të ri ku të gjithë intelektualët e Fierit të kenë mundësi të kontribuojnë për mbarëvajtjen e qytetit të tyre për të ardhmen e qytetit të tyre. Ky është një qytete me probleme të ndryshme që nga mjedisi dhe shumë çështje të tjera. Ndaj dhe drejtimi i bashkisë kërkon vizion por kërkon dhe partneritet me qeverinë për t’i zgjidhur këto probleme. Ky qytet si rrallë qytete të tjera në Shqipëri ka potenciale për të zhvilluar një zonë të rëndësishme industriale për mes lehtësive që bashkia në bashkëpunim me qeverinë duhet të krijojnë investitorëve vendas dhe të huaj në mënyrë që të rritet punësimi në mënyrë të ndjeshme. Ky është një qyteti i mundësive të mëdha ndaj dhe kërkon një drejtim të ri dhe unë ju ftoj të gjithë juve dhe të gjithë anëtarët dhe simpatizantët tanë që të votojnë për z. Ilir Bele si kryetar i ri i Bashkisë së Fierit”, u shpreh kreu i LSI-së, Ilir Meta.
LSI garon në zgjedhjet e 8 majit me 4 kandidatë për kryetare komunash në rrethin e Fierit, ndërsa aty ku nuk janë kandidatët e saj, do të synojë votat për këshilltarë komunalë dhe bashkiakë. Krahas kësaj, LSI garanton mbështetje të fuqishme në të gjitha ato zona ku garojnë kandidatët e PD-së.
Fatmir Mediu në Fier: “Edi Rama po përjashton edhe vlerat e vetë PS-së”/Partia Republikane çeli dje fushatën zgjedhore në Fier duke synuar përfaqësim të lartë në këshillat bashkiakë dhe komunalë. Njëkohësisht, PR do të mbështesë fuqishëm në këto zgjedhje kandidatët për bashkitë dhe komunat. Kryetari i republikanëve tha se “Aleanca për Qytetarin” është filozofia që përfshin qytetarin në vendimmarrje dhe e bën atë pjesë të zgjidhjes së problemeve. “Përkundër kësaj, tha Mediu, kemi përballë një filozofi përjashtuese të z. Rama që përjashton edhe vlerat e vetë Partisë Socialiste”.
Më tej, Mediu ka garantuar mbështetjen e PR për kandidatin e PD-së për bashkinë e Fierit, Ilir Bele. Në takimin e parë elektoral të PR-së në Fier, kreu i republikanëve Fatmir Mediu, duke iu drejtuar z. Ilir Bele si kryetar i ardhshëm i baskisë, kërkoi që me marrjen e detyrës ai të jetë pranë çdo familje fierake. Sipas Mediut, kryetari i ardhshëm i bashkisë Fier do të duhet të trokasë në çdo derë dhe në çdo zemër të qytetarëve fierakë, me qëllim që Fieri të jetë i të gjithëve dhe jo i klaneve të caktuara.
Ndërkohë, kandidati i PD-së për kryetar i bashkisë së Fierit, Ilir Bele, deklaroi në takimin e parë elektoral të PR-së se në 9 maj Fieri do të ketë një perspektivë të re, konkrete dhe gjithëpërfshirëse. Republikanët e vlerësojnë Fierin si qytet me potenciale të mëdha natyrore dhe njerëzore, por edhe me vlerën e bashkëjetesës së shumë komuniteteve në harmoni dhe tolerancë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›