E Diel, 1 Nëntor 2026

Andrea Mano: Premtoj një administrim që t’ia shpëtojmë dinjitetin qytetit

11-04-2011 / Gazeta 55

“Me Korçën lidhet ngushtë jeta dhe familja ime, ndaj unë do të bëj të pamundurën për t’i dhënë dinjitet qytetit tim”. Kështu u shpreh kandidati demokrat për bashkinë e Korçës, Andrea Mano, gjatë ceremonisë së prezantimit të tij zyrtar para qytetarëve korçarë. Duke shtuar se pikë referencë për të ka qenë tradita që ka Korça në arsim, duke qenë model i vendit në këtë sektor. “Korça nuk është një qytet dosido, por është djep i arsimit dhe i kulturës, e megjithatë ai, po përjeton disa nga momentet më të vështira të tij, falë një administrimi të keq. Por ajo që unë premtoj, është një administrim vizionar, jo si tentativat e kryebashkiakut aktual, për të dëmtuar traditat e këtij qyteti. Korça jonë ka mbetur në periferi të zhvillimeve që po përjeton vendi, e kjo jo për faj të qeverisë, e cila ka investuar vazhdimisht. Por për faj të kryebashkiakut aktual. Prandaj unë premtoj një drejtim që t’i shpëtojë dinjitetin qytetit tonë”- tha Mano. Sipas tij, mungesa e investimeve nga pushteti lokal dhe largimi i korçarëve nga Korça bën thirrje për ndryshim. “Unë kandidoj sepse kryebashkiaku aktual, nuk punon për qytetin e tij dhe dua ta ndryshoj këtë gjendje. Qytetit tonë i duhet një kryebashkiak, për të cilin, qytetarët janë të parët”- përfundoi Mano.

Në Korçë, Qeveria “Berisha” shkon me bilanc të shkëlqyer
Qeveria shqiptare ka shënuar arritje konkrete në këto 4 vjet. Gjatë këtyre viteve, në Qarkun e Korçës janë ndërtuar 380 km rrugë dhe janë investuar 150 milionë euro. Qeveria po investon në të gjitha drejtimet, si në autostradën Tiranë Elbasan, autostradën Qukës- Qafë Plloç, përmes të cilave shkurtohet distanca Korçë – Tiranë, nga 185 km në 125 km, pra së paku me 60 për qind të kohës.
Në katër vitet e kaluar janë investuar në qarkun e Korçës, në ujësjellës, kanalizime, më shumë se 150 milionë euro.
Vetëm në kanalizimet e këtij qyteti dhe në impiantet e përpunimit të ujërave janë investuar rreth 37 milionë euro, në ujësjellësin e Pogradecit 25 milionë euro, në kanalizime e impiantin e përpunimit të ujërave në Pogradec 30 milionë euro. Rreth 47 ujësjellës e kanalizime u ndërtuan në mbarë Qarkun e Korçë, në harkun kohor të vetëm 4 viteve.

Ligji për amnistinë fiskale - Berisha fton opozitën ta votojë
Kryeministri Berisha bëri thirrje dje nga Korça që opozita të votojë ligjin për amnistinë, vendimin më të rëndësishëm të qeverisë, për të shlyer detyrimet e biznesit për 20 vitet e shkuara. “Sot është ditë nderimi të madh për ju, qytetarë të Korçës e mbarë Shqipërisë, për biznesmenët e Korçës e të mbarë Shqipërisë, ndaj dhe ne vendosëm amnisti për 20 vitet e shkuara për të gjitha detyrimet e biznesit shqiptar. Edhe njëherë nga Korça, ftoj opozitën të votojë ligjin e amnistisë,. Të mos harrojë se biznesi ka votuar e voton gjithmonë për Shqipërinë, se biznesi është gjeneratori kryesor i punësimit, i të ardhmes së qytetarëve shqiptarë. Ndaj, le  të votojmë së bashku ligjin për të amnistuar detyrimet e tyre, sepse janë ata që me gjeninë e tyre krijuese, me sakrificën e tyre, me mundimin e tyre, së bashku me reformat e qeverisë, bënë që Shqipëria, nga një vend me ekonomi të falimentuar, të qëndrojë sot si një vend me një ekonomi që vrapon”, deklaroi kryeministri Berisha. 
Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet vetëm një herë deri në zhvillimin e zgjedhjeve vendore të 8 majit. Ligji për amnistinë fiskale pritet të zërë dhe axhendën kryesore të rendit të ditës së Kuvendit, por krahas kësaj do të shërbejë për unifikimin e konsensusit mazhorancë-opozitë, për një ligj tepër të rëndësishëm për biznesin dhe zhvillimin e tij, i cili kërkon 84 vota. Ligji në fjalë ka marrë mbështetjen e plotë të mazhorancës, por e njëjta gjë s’vlen të thuhet për opozitën, të cilët për shkak të mungesës së vullnetit, kanë paralajmëruar mos votimin e tij.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›