E Diel, 1 Nëntor 2026

Incidenti me Bazen Gjykata lë sërish në burg Rezart Taçin

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Gjykata e Shkallës së Parë la në fuqi vendimin e mëparshëm “burg pa afat” për Presidentin e kompanisë se naftes "Taçi Oil", Rezart Taçi. Prokurorët deklaruan në seancën e zhvilluar paradite se “nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë për Rezart Tacin”. I pandehuri nuk ishte prezent në seancën e, por u përfaqësua nga avokatët e tij. Avokatët e bosit të kompanisë "Taçi Oil", Rezart Taçi, i cili ndodhet prej dhjetë ditësh në qeli si i akuzuar për dhunën ndaj gazetarit Mero Baze, i kërkuan Gjykatës së Shkallës së Parë revokim të masës së arrestit “burg pa afat”, në një masë më të lehtë.

Garancia

Avokati Maks Haxhiaj ofroi 50 mijë euro garanci, por pa mundur të binde gjyqtaren Fahrie Budo. Gjyqtarja vendosi të lërë në fuqi vendimin e mëparshëm për Tacin, “burg pa afat”. Avokatët u shprehën se do të apelojnë vendimin dhe seanca e ardhshme për Tacin pritet të mbahet më 19 Nëntor dhe do të zhvendoset në Gjykatën e Apelit. Presidenti i kompanisë “Taci Oil”, Rezart Taci u ndalua pasi u denoncua nga gazetari Mero Baze, për dhunën e ushtruar ndaj tij në orët e vona të mbrëmjes së 2 Nëntorit në një lokal në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

Kërkesa

Avokatët e biznesmenit Rezart Taçi paraqesin katër ditë më parë në gjykatën e Tiranës kërkesën për revokim të masës së sigurisë ndaj klientit të tyre. Ndryshe nga rastet tjera kur vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë, ankimohen në një gjykatë më të lartë, pra në Apel, avokatët e Rezart Tacit, Maks Haxhia dhe Artan Hajdari, kanë vepruar ndryshe. Ata kanë dorëzuar një kërkesë në Gjykatën e Tiranës, ku kërkojnë nga e njëjta gjykatë që la në burg Rezart Taçin, lirimin e tij. Një ankim i tillë brenda të njëjtës gjykatë, duket se është bërë nga avokatët me qëllim lënien sa më pak në qeli të biznesmenit Rezart Taçi.
Procedurat ligjore parashikojnë të paktën 20 ditë apo një muaj, kohë derisa Gjykata e Apelit të marrë çështjen në shqyrtim. Siç duket me qëllimin për për të shkurtuar kohën e qëndrimit në qeli të biznesmenit, avokatët e tij kanë bërë kërkesën e cila sipas tyre duhet te shqyrtohet brenda pesë ditëve nga Gjykata e Tiranës.

Kundërakuzat

Biznesmeni Rezart Taçi ka hedhur poshtë akuzat e gazetarit Mero Baze edhe pas paraqitjes së tij në polici javën e shkuar pasi Gjykata e Tiranës e shpalli në kërkim ndërkombëtar. Pronari 38-vjeçar i kompanive ARMO dhe Taçi Oil duket se po kërkon ta drejtoje hetimin e ngjarjes drejt një ballafaqimi mes provave të tij dhe fakteve të Mero Bazes.

Lista me dëshmitarë

Biznesmi i akuzuar për goditje për shkak të detyrës, mësohet të jetë shprehur para gjykatës së Tiranës, në seancën me dyer të mbyllura, se “kam një listë të gjatë dëshmitarësh të cilët faktojnë se nuk kam ushtruar dhunë ndaj Mero Bazes”. Sipas dëshmisë së dhënë nga Rezart Taçi, lista në fjalë po përgatitet nga avokatët e tij të cilët do ta dorëzojnë atë para gjykatës në momentin e duhur.Deshmitaret ne fjale mesohet se jane persona qe kane qene te pranishem ne lokalin "Caprico" ne momentin e ngjarjes. Ndërkohë sipas burimeve të Prokurorisë së Përgjithshme, mësohet se të vetmit dëshmitarë që mbështesin variantin e Mero Bazes për përfshirjen e biznesmenit në dhunë, janë gazetarët Andi Bushati dhe Arban Hasani që ndodheshin në tavolinë me botuesin e Gazetës Tema në momentin kur ndodhi ngjarja. Rezart Taçi së bashku me punonjësit e kompanisë së tij Taçi Oil, Irgen Selfo dhe Bledar Liro, ndodhet në gjendje arresti prej javës së shkuar për akuzën “goditje për shkak të detyrës” ndaj gazetarit Mero Baze.

Ky lajm është publikuar: 18/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›