Incidenti Rama-Ceka në Vjenë, Kuvendi miraton komisionin hetimor
Parlamenti ka votuar sot pro ngritjes së komisionit hetimor për të hetuar incidentin e 24 prillit të ndodhur në Vjenë mes kryetarit të opozitës Edi Rama dhe diplomatit Egin Ceka.
Ngritja e komisionit hetimor për kryesocialistin Rama u votua me 71 vota pro të mazhorancës ndërsa opozita nuk ishte e pranishme në sallë.
Mazhoranca akuzon Ramën se ka dëmtuar imazhin e vendit duke dhunuar diplomatin. Mirëpo opozita e konsideron gjithë këtë debat një manovër të Partisë Demokratike për të dëmtuar figurën e Edi Ramës, duke u shprehur se incidenti është fryrë qëllimisht.
PD depozitoi të premten kërkesën në Kuvend
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi të premten në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor “për hetimin e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive të incidentit të datës 24 prill 2013 pranë Akademisë Diplomatike të Vjenës”.
Kërkesa e deputetëve të maxhorancës parashikon që objekti i punës së komisionit të jetë hetimi për zbardhjen e plotë të fakteve dhe rrethanave të incidentit të datës 24 prill, si dhe hetim të plotë të veprimeve dhe përgjegjësive të individëve të përfshirë në këtë incident.