Idrizi: Askush nuk mund të përçajë dot kauzën e çamëve

PDIU mblodhi Këshillin Kombëtar miraton strategjinë e fushatës elektorale
Partia, Drejtësi Integrim dhe Unitet mblodhi sot Këshillin e saj Kombëtar.
Në fjalën e tij, kryetari Shpëtim Idrizi u shpreh i bindur për suksesin e PDIU-së në zgjedhjet e 23 qershorit, duke bërë më shumë për zgjidhjen e çështjes çame.
Duke iu referuar Aleancës Popullore, partisë së dytë të komunitetit çam ne koalicion me PS-në, Idrizi theksoi se askush nuk mund t’i përçajë çamët në të djathtë dhe të majtë. “Ata s’mund të përçajnë dot në të majtë dhe të djathtë komunitetin çam, nuk mund të përçajnë dot kauzën tonë”, tha Idrizi.
Lidhur me rezolutën Çame, Idrizi theksoi se ka qenë dhe mbetet stacioni më i rëndësishëm i PDIU-së. “Sot çështja çame u shndërrua në çështjen kryesore të pazgjidhur të kombit shqiptar, por që është shtruar për zgjidhje në analet diplomatike. Sot për çështjen çame ka një rezolutë të Parlamentit shqiptar. Rezoluta ka qenë dhe mbetet stacioni më i rëndësishëm i aktivitetit tonë politik brenda një mandati. Ajo ka qenë aksioni ynë më i madh politik dhe ne sot duhet të jemi krenarë që ja dolëm në miratimin e saj”, theksoi Idrizi.
Duke iu referuar sulmeve të kreut të opozitës në drejtim të PDIU-së, Idrizi tha se, “Kreu i PS po përdor një gjuhë që i takon politikës së vjetër, me sulme personale e denigruese që nuk i shërben bashkëjetesës së sotme mes njerëzve dhe politikës...”.
Në aktivitetin e djeshëm, folën edhe presidenti i nderit të PDIU-së, Tahir Muhedini, kreu i shoqatës Çamëria, Ardian Tana, ish-kryetari i “Çamërisë” Servet Mehmeti, Sekretari Politik i PDIU, Adri Nurellari si dhe drejtuesja e Këshillit Kombëtar, Kozeta Mesiti.