“Bllokimi i integrimit nga Rama, vepër antikombëtare”

Ministri Arben Imami takime me të rinjtë, përfaqësues të komunitetit Gollobordas dhe gazetarë
Arben Imami ka zhvilluar një sërë takimesh intensive në qarkun e Elbasanit, në të cilën kryeson grupin e punës së Partisë Demokratike. Fillimisht ka takuar të rinjtë e komunën e Gostimës.
Sipas tij angazhimi i të rinjve ishte shumë i madh në këtë zonë për një fitore të thellë të Partisë Demokratike. “Arsyeja ? Sepse kjo parti që u themelua në ditë shumë të vështira ka ecur me hapa të mëdha dhe arritëm atë më të rëndësishmen që është integrimi i Shqipërisë në familjen Europiane, theksoi ai. Duke filluar me anëtarësimin e vitit 2005 në Këshillin e Europës, anëtarësimin në NATO, liberalizimin e vizave e do të kishte bërë akoma më shumë pa bllokimin e opozitës sepse sot Shqipëria do të ishte një vend anëtar i BE. Zgjedhjen e të rinjve për tu anëtarësuar në partinë demokratike Imami e vlerësoi si një shans të mëdha për të zgjedhur të ardhmen e tyre”, deklaroi Imami.
Më pas ministri Imami cilësoi se, “para 8 vjetësh penetrimi i internetit në këtë vend ishte vetëm 6 për qind ndërsa sot është mbi 60 për qind duke vazhduar me kostot e komunikimit me celular të cilat kanë qenë shumë të larta kurse sot janë dy herë më të ulëta. Niveli i komunikimit dhe mundësia për të njohur botën duke naviguar në dije, kulturë, të njohurive në botë, tani është në dispozicionin tuaj”, theksoi ai.
Sipas tij, bllokimin e opozitës me mosvotimin e tre ligjeve që do të na çonin në anëtarësimin në BE Imami e cilësoi si një vepër antikombëtare, ku kjo nuk ka vetëm pasoja politike apo emocionale, por sot po të ishim një vend anëtarë tha ai, mund të ishim më të lirë për gjithçka. “Duke e thënë më thjeshtë u shpreh ai, taksat që paguan një student i cili është i një vendi Europian janë shumë më të ulëta në shkollat Europiane se sa për ata që janë jo Europianë. Për të mos folur për pensionet vijoi ai ku ata që punojnë atje po të ishin sot rezidentë nga një vend i BE ose i një vendi kandidat kanë të tjera shanse dhe mundësi. Duke u krahasuar këtu me Maqedoninë që është një vend kandidat dhe merr 50 euro për frymë nga BE për bujqësinë, arsimin, shëndetësinë etj, ndërsa Shqipëria që nuk është vend kandidat nuk merr 50 euro por merr 28, diferenca është 22 euro”, theksoi ai.
Ndërkohë ministri Imami është takuar me komunitetin gollobordas në Elbasan ku e vlerësoi si një ndër komunitetet më të gjëra brenda Partisë Demokratike dhe spektrit të djathtë që prej 20 vitesh.
Rruga Librazhd-Shupen është një rrugë e rëndësishme dhe është krejtësisht iniciativë dhe këmbëngulje e Kryeministrit.
Duke folur për ekonominë Imami tha se nga viti 2006-2009 po ecnim me një shpejtësi shumë të madhe 7-8 për qind po shkonte rritja vjetore, por vitet e fundit për shkak të krizës viti 2012 ka qenë i tmerrshëm. Greqia dhe Italia ranë ndërkohë që ne mbajtëm rritjen 1.7 për qind dhe duhet të dini që nuk është pak, theksoi ai. Me 1.7 për qind ne përsëri patëm një nivel të lartë investimesh në vend, por rruga Librazhd-Shupen tani ka filluar edhe shtrimin me asfalt, ku ka arritur në 10 km. “Rruga e Arbrit, doli si prioritet i dytë për shkak të rrugës së Elbasanit e cila do të jetë një rrugë e mrekullueshme, por ndërkohë rruga e Arbrit është prioriteti më i rëndësishëm në 4-vjeçarin e ardhshëm për qeverinë tonë. Siç u bë në mandatin e parë rruga e kombit, në të dytin kjo e Elbasanit, në të tretin prioriteti do të jetë rruga e Arbrit”, premtoi Imami.
Ndërkaq takimin e fundit Ministri Imami ia rezervoi gazetarëve të mediave të ndryshme që mbulojnë Elbasanin.
Ministri Imami u ka shpjeguar gazetarëve nevojën për të folur pozitivisht dhe që qytetarët të na vlerësojnë apo jo për ato që kemi realizuar. “Por mediat mund të luajnë një rol pozitiv në uljen e tensionit, ashtu siç mund të luajnë një rol negativ në ngritjen e tensioneve të panevojshme. Ngritja e këtyre të fundit nuk i shërben zgjedhjeve dhe si rrjedhojë nuk i shërben as vendit në këtë kohë. E vetmja gjë që i duhet këtij vendi në këtë kohë janë një palë zgjedhje të lira, të ndershme dhe jo problematike. Ne e kemi të qartë këtë dhe do të luftojmë për të qenë kështu, sigurisht për aq sa do të mundemi”, theksoi ai.
Në fund të fjalës së tij, Imami garantoi transparencë përsa i përket fushatës së PD në qarkun e Elbasanit.