Incidenti Rama-Ceka në Vjenë, Kuvendi voton sot për komisionin hetimor
Parlamenti mblidhet sot paradite në seancën e radhës, e cila pritet të shoqërohet me debate të forta mes palëve.
Në rend të ditës pritet të jetë komisioni hetimor i kërkuar nga mazhoranca për incidentin e 24 prillit të ndodhur në Vjenë mes kryetarit të opozitës Edi Rama dhe diplomatit Egin Ceka.
Mazhoranca akuzon Ramën se ka dëmtuar imazhin e vendit duke dhunuar diplomatin. Mirëpo opozita e konsideron gjithë këtë debat një manovër të Partisë Demokratike për të dëmtuar figurën e Edi Ramës, duke u shprehur se incidenti është fryrë qëllimisht.
PD depozitoi të premten kërkesën në Kuvend
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi të premten në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor “për hetimin e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive të incidentit të datës 24 prill 2013 pranë Akademisë Diplomatike të Vjenës”.
Kërkesa e deputetëve të maxhorancës parashikon që objekti i punës së komisionit të jetë hetimi për zbardhjen e plotë të fakteve dhe rrethanave të incidentit të datës 24 prill, si dhe hetim të plotë të veprimeve dhe përgjegjësive të individëve të përfshirë në këtë incident.
Ndërkohë debate gjatë seancës pritet të ketë edhe për Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Partia Socialiste ka kërkuar rikompozimin e KQZ dhe largimin e kryetares Lefteri Lleshi, por mazhoranca pretendon se PS-ja po kërkon të shtyjë zgjedhjet.