Incidenti me homoseksualët, Spahia prek parlamentin hollandez
Hollande- Ministrit të Jashtëm Uri Rosenthal i është kërkuar sot nga deputetët hollandez të komentojë lidhur me incidentin në Shqipëri mes ambasadorit të tyre Van deen Dool dhe zv/ministrit shqiptar të Mbrojtjes Ekrem Spahisë, i cili kërkoi që ambasadori të shpallej persona non grata pasi mbështeti homoseksualët.
Liberal Demokratet D66 kanë kërkuar shpjegime dhe sqarime nga Rosenthal pas deklaratave të Spahisë. Ambasadori hollandez në Tiranë, Henk van den Dool bëri komente në mbështetje të homoseksualitetit në Shqipëri gjatë një interviste televizive dhe më pas lideri i krahut të djathtë PLL, Ekrem Spahia tha se tanimë ambasadori duhet të debohet nga Shqipëria pasi ka fyer moralin dhe etikën shqiptare.
Mediat hollandeze i kanë dhënë një hapësirë të veçantë sot temës, teksa siç raporton DutchNews.nl, ambasadori Van den Dool i bëri komentet pas sulmit me fishekzjarre ndaj homoseksualëve në një udhëtim me biçikleta në Tiranë. Kryeministri Berisha në një deklaratë për shtyp tha se qëndrimi i zv/ministrit të Mbrojtjes Spahia ishte tërësisht personal dhe nuk përfaqëson frymën që ndjek qeveria për homoseksualët, madje zoti Berisha i ka cilësuar deklaratat e Spahisë të papranueshme për vende që aspirojnë integrimin evropian siç është edhe Shqipëria.
Dorina Bilbili/IDEA/