Lamtumirë Agron Aliaj!
Tiranë- Ai që mjeshtri i tyre, i dhjetra brezave balerinësh të cilët sot janë në skenat shqiptare dhe ato të botës. E ata qenë aty për t’i dhënë lamtumirën e fundit koreografit Agron Aliaj i cili 50 vite të jetës dhe karrierës së tij ja kushtoi baletit dhe balerinëve, atyre që janë tani po hedhin hapat e parë dhe të tjerëve që tanimë janë balerinë të suksesshëm.
Në këtë ceremoni lamtumire ishte edhe balerini Ilir Kerni përpos trupes së teatrit të Teatrit të Operas dhe Baletit, balerinëve të vegjël të Shkollës së Dansit, miqve dhe kolegëve të tij të një jete.
“Ai është mjeshtri im, mund ta thërras kështu edhe tani që nuk është më, sepse kështu e thërrisja kur ishte në jetë, çdoherë që e takoja…takime që vitet e fundit ishin të rralla sepse unë nuk isha shpesh në Tiranë. Mjeshtri im, mjeshtri i të gjithëve ne që jemi në skenë na ka dhënë shumë, na ka dhënë shpirtin e tij dhe ne jemi sot këta që jemi falë tij”- është shprehur ish-balerini i parë i TOB-it Ilir Kerni i cili ishte aty për mjeshtrin e tij, për koreografin Agron Aliaj.
Për Kernin do të jetë koha ajo që do të tregojë vlerat e mëdha të një figure e cila është e pazëvendësueshme për nga përmasat. Balerini i parë i TOB-it, Gerd Vaso është një tjetër balerin i cili është rritur me të. “Zëri i tij, lëvizjet e tij, kritikat dhe këshillat e tij kanë qenë pjesë e pandarë e jetës sime. S’ka dyshim që do na mungojë shumë, ama ne do të bëjmë ç’të mundim për të ecur në gjurmët e tij”- rrëfeu Vaso.
Ai ishte njeriu i palodhur i cili edhe në moshën 79-vjeçare nuk ndahej dot nga skena dhe e fundit shfaqje e tij mbetet një vepër që e ka dashur shumë, “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë” premierën e së cilës nuk mundi dot ta shohë. Drejtori i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Zhani Ciko flet për humbje të madhe por edhe një trashëgimi të jashtëzakonshme që ai ka lënë për baletin shqiptar, për kulturën kombëtare shqiptare.
“Tani po nderojmë e po i japim lamtumirën njeriut i cili i ka dhënë shumë këtij vendi dhe sidomos kësaj skene e cila s’do të ishte kurrsesi e njëjtë pa të”- tha maestro Ciko.
I përlotur, aty qe edhe valltari Besim Zekthi, një mik e koleg i vjetër i koreografit, prej fillimit të viteve ’50-të kur të dy nisën rrugëtimin e karrierës gjysmë shekullore. “Ne kemi nisur karrierën thuajse në të njëjtën kohë. Përveçse një koreograf i jashtëzakonshëm i baletit, siç ne e njohim më shumë, Agroni ishte një interpret të cilin rrallë mund ta arrijë ndokush, një interpret i jashtëzakonshëm i folkut tonë, përpos të tjerash. Me shuarjen e tij ka shkuar një korife jo vetëm i skenës, por i kulturës kombëtare”- theksoi valltari Besim Zekthi.
Ndërkaq, të vetmit zyrtarë të lartë të shtetit që ishin të pranishëm në ceremoninë e lamtumirës së koreografit, në homazhet që nderuan jetën e Agron Alisë qenë Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe Ministri i Kulturës Aldo Bumçi. Agron Aliaj hodhi bazat e koreografisë në vend dhe shkoi në moshën 79-vjeçare duke mos i mbijetuar dot aksidentit që pësoi teksa dite nga provat e pasdites shfaqjes së fundit që do të vinte në Teatrin e Operas dhe Baletit. Mjeshtri shkoi por la pas për brezat dhe kulturën e vendit krijimtarinë e tij gjysmë shekullore.
