E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidenti në veri, Mustafa akuza Qeverisë dhe KFOR-it

Situata në veri të Kosovës është brengosëse. Serbia përmes strukturave të saj paraushtarake, vazhdon të pengojë vendosjen e rendit kushtetues në këtë pjesë të Kosovës, ka theksuar kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Kjo situatë, sipas tij, duhet të marrw fund, pasi përveç destabilizimit të rajonit, do të destabilizojë dhe do tw përçajw edhe njëherë Europën. Mustafa ka thënë se është mirë që situata të zgjidhet me mjete politike, por është e pakuptueshme toleranca e institucioneve vendëse dhe ndërkombëtare në Kosovë ndaj grupeve paraushtarake dhe kriminale që nën komandimin e Serbisë përpiqen të pengojnë shtetndërtimin e Kosovës.

“Është e pakuptueshme që KFOR-it t`i pengohet lëvizja e lirë. Duhet bashkërendim të institucioneve, KFOR-it, EULEX-it dhe Qeverisë së Kosovës që përmes angazhimit serioz të vendosin rendin dhe ligjin edhe në atë pjesë të Kosovës. Duhet biseduar me serbët lokalw, me qytetarët e Kosovës, por kurrresesi me drejtuesit e strukturave paraushtarake dhe kriminale, të cilët me siguri nuk janë qytetarë të Kosovës, por të dërguar me mision nga Serbia”, ka theksuar ai.

Mustafa ka thënë se Qeveria e Kosovës, por edhe Bashkimi Europian, deri më tani nuk kanë bërë përpjekje serioze për të normalizuar situatën në veri të Kosovës. Lideri i opozitës ka thënë se në takimet që ka pasur me ndërkombëtaret, të gjithw kanë folur rreth nevojës për zgjidhjen e problemit të veriut, por askush nuk ka folur për status special apo autonomi. Sipas tij, ndërkombëtaret e kanë të qartë se autoritetet e Kosovës, pozitë as opozitë, nuk mund të pranojnë asnje lloj statusi special për veriun, sepse siç ka thënë ai, do të rrënonte të gjitha arritjet e deritashme. Lideri i LDK-së, ka thënë se marrëveshjet e arritura me Serbinë në Bruksel janë të pavlefshme pwrderisa nuk janë ratifikuar në Kuvend.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›