E Shtunë, 31 Tetor 2026

Indeksi i lirise ekonomike Shqiperia renditet e 30-ta

Shqipëria renditet e 30-ta në indeksin e Lirisë Ekonomike në Botë.

Është ky raporti i fundit, vjetor i “Economic Freedom network” për vitin 2011.

Nga 141 vende në rang global të marra në studim mbi të dhënat bazë të zhvillimit ekonomik, vendi ynë pozicionohet në një nivel mjaft të lartë të vlerësimeve. E krahasuar me raportin e vitit të kaluar Shqipëria është ngjitur në renditje me 16 pozicione më lartë, nga vendi i 46 në vendin e 30.

Raporti vjetor i Lirisë Ekonomike të Botës, është hartuar nga Instituti Fraser, forumi më i rëndësishëm i politikave publike në Kanada, në bashkëpunim me institutet e pavarura në 85 vende dhe territore.

Ky Indeks bazohet në politikat që inkurajojnë lirinë ekonomike, siç janë zgjedhjet individuale, shkëmbimi vullnetar, liria për të konkurruar dhe siguria e pronës private. Nga të dhënat e statistikës zyrtare të përdorura në hartimin e këtij Indeksi, rezulton se Shqipëria vazhdon të ruajë kuota të mira të lirisë ekonomike.

Shqipëria është vlerësuar në këtë klasifikim sipas kategorive kryesore të lirisë ekonomike (nga 1 në 10-të ku vlera më e lartë tregon një nivel më të lartë të lirisë ekonomike): kështu Madhësia e qeverisë: ka ndryshuar në 8.20 nga 8.24 krahasuar me raportin e mëparshëm .Struktura Ligjore dhe Garantimi i të Drejtës së Pronës: ka ndryshuar në 5.45 nga 5.30, Sektori Monetar: ka ndryshuar në 9.63 nga 9.40 . Liria e Tregtisë Ndërkombëtare: ka ndryshuar në 6.63 nga 6.29. Rregullimi Ligjor i Kredisë, Tregut të Punës dhe Biznesit: ka ndryshuar në 6.72 nga 6.67

Në përgjithësi, sipas raportit, nivelet e lirisë ekonomike kanë pësuar rënie në mbarë globin.

Raporti i këtij viti tregon se niveli mesatar i lirisë ekonomike ka rënë në 6.64 në vitin 2009 , nga 6.67 që ishte në vitin 2008, duke shënuar vlerën më të ulët për gati tre dekada.

Në vend të parë për indeksin e lirisë ekonomike renditet Hong Kongu përsëri, i ndjekur nga Singapori dhe Zelanda e Re. ndërsa vihet re një rënie e madhe e nivelit të lirisë ekonomike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga ekonomitë e tjera të mëdha europiane, vërehet se Gjermania renditet në vendin e 21, Franca në vendin e 42 dhe Italia në vendin e 70.

Anëtare e “Freedom Economic network”, është edhe Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›