Indeksohen çmimet e barnave të rimbursueshme, Manastirliu: Shtohen përfituesit e sëmundjeve kronike

Këshillin e Ministrave ka miratuar vendimin për indeksimin e çmimeve të barnave të rimbursueshme. Sipas ministres së shëndetësisë ky vendim i siguron një benefit buxhetit të alokuar në vlerën rreth 3.6 milion dollarë, të cilat do të shfrytëzohen sërish për të mbështetur të sëmurët kronike .
“Ky vendim na krijon mundësinë për të zgjeruar më shumë mbulimin me barna nëpërmjet skemës së rimbursimit të barnave për qytetarët, të cilët vuajnë nga sëmundje kronike si dhe zgjerimin e diagnozave të mjekimit dhe rritjen e numrit të qytetarëve që përfitojnë nga skema e rimbursimit të barnave.
Ky indeksim i çmimeve i siguron një benefit buxhetit të alokuar për barnat në listën e rimbursimit në vlerën rreth 3.6 milion dollarë, të cilat do të shfrytëzohen sërish për të mbështetur më shumë persona me sëmundje kronike dhe për të zgjeruar alternativat e mjekimit për ta, por edhe për të mundësuar që barra e sëmundshmërisë, e ardhur edhe nga pandemia e Covid-19, të mundet të mbulohet plotësisht”, tha Manastirliu.
Nga lista e barnave të rimbursueshme përfitojnë më shumë se 410 mijë qytetarë, ku më shumë se 60% e tyre janë pensionistë dhe persona me aftësi të kufizuar, që mbështeten me trajtimin medikamentoz sipas diagnozave të mjekimit që ata marrin nga mjekët e familjes.
/rtsh.al/