Indeksonline siguron vendimin e kolegjit

Indeksonline ka siguruar vendimin e Gjykatës së Apelit e cila u ka shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji, shtatë ish-komandantëve të UÇK-së, Sami Lushtaku, Sylejman Selimi, Hysni Thaqi, Jahir Demaku, Zeqir Demaku, Avni Zabeli e Sahit Jashari.
Në arsyetimin që ka dhënë Gjykata ndër të tjera përmendet edhe historia e procedurës ku thuhet se hetimi penal përkatës është duke u zhvilluar dhe ndërlidhet me akuza të shumta për krime lufte kundër popullsisë civile që pretendohet të jenë kryer nga të pandehurit gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë. Hetimi u zgjerua në lidhje me akuza shtesë dhe u vazhdua lidhur me të pandehur të tjerë me aktvendimin e prokurorit special të datës 05 korrik 2012.
Më 22 mars 2013 gjyqtari i procedurës paraprake në lëndë lëshoi urdhërarrest për masat mbrojtëse në pajtueshmëri me Nenin 222 Paragrafi 1.4 të KPP-së.
Me 24 maj 2013 prokurori special parashtroi në Gjykatën Themelore në Mitrovicë kërkesën PPS. Nr. 88/2011 (GJPP. Nr. 27/2012) për paraburgim kundër shtatë personave të lartcekur.
Gjyqtari i procedurës paraprake me aktvendimet nr. GJPP 27/12, të datës 24 maj 2013, refuzoi kërkesën e Prokurorit Special për paraburgim dhe në vend të tij caktoi arrestin shtëpiak kund të gjithë të pandehurve.
Kundër këtij aktvendimi, avokati mbrojtës Arianit Koci në emër të të pandehurit Sami Lushtaku dhe avokati Tomë Gashi në emër të të pandehurit Sylejman Selimi, kanë ushtruar ankesa më 27 maj 2013 dhe më datë 28 maj 2013 prokuroi special ka parashtruar një tjetër ankesë.
Prokuroria e Apelit ka paraqitur mendimin e saj mbi ankesat me datën 30 maj 2013.
Përgjigjet në ankesën e prokurorit special janë ushtruar nga avokatët mbrojtës në emër të të pandehurve.
Gjetjet e kolegjit
Ankesa e parashtruar nga prokurori special është e pranueshme dhe e bazuar.
Prokurori Special i Republikës së Kosovës paraqet se arsyetimi i aktvendimeve të kundërshtuara përmban lëshime serioze kur gjyqtari i procedurës paraprake argumenton se rreziku i ndërhyrjes në prova, në veçanti, rreziku i ndikimit të dëshmitarëve, ulet me masën e caktimit të pseudonimeve për dëshmitarët kyç në lëndë. Rrjedhimisht masa më e butë kufizuese e arrestit shtëpiak është konsideruar të jetë e mjaftueshme për të adresuar rrezikun e mbetur.
Ai pohon se masa mbrojtëse e caktimi të pseudonimeve nuk fsheh identitetin e dëshmitarëve përballë mbrojtjes megjithëse një efekt të tillë do të mund ta kishte në opinion.
Prokurori ka thënë se arresti shtëpiak në Kosovë ka një zbatim të dobët. Të pandehurit zakonisht gëzojnë shkallë të lartë të lirisë, duke përfshirë qasjen në mjete të ndryshime të komunikimit dhe vizitat familjare.
Pozitat zyrtare të të pandehurve në Kosovë si edhe reketi i ndikimit të tyre do të parandalojë zyrtarët policorë nga mbikëqyrja efikase e masës së arrestit shtëpiak.
Disa nga të pandehurit kanë kryer vepra të më parshme penale të kërcënimeve. Prandaj masa e vetme e përshtatshme që në mënyrë efikase ul rrezikun për dëshmitarët është paraburgimi.
PSRK-ja po ashtu kundërshton, se për të pandehurin Sami Lushtaku ekziston rreziku i ri-kryerjes së veprave të dhunshme, të ngjashme me ato për të cilat ai u dënua më parë dhe ato me të cilat akuzohet në procedurën aktuale. Ai shtjellon se rreziku i recidivizmit po ashtu mund t’i referohet përsëritjes së veprave p[penale themelore të shkeljes së integritetit trupor, të vrasjes dhe të tjera edhe pa gjendjen e luftës apo konfliktit aktualisht të pranishëm.
Prokurori konteston se rreziku i ikjes është nënvlerësuar nga gjyqtari i procedurës paraprake në aktvendimet e tij. Si rrethana të rëndësishme ai përmend profilin e lartë publik të të gjithë të pandehurve të kombinuar me ashpërsinë e ndëshkimit të pritur në rast të dënimit dhe mungesën e kontrollit të kufijve të Kosovës, si dhe për z.Lushtaku procedurën penale që është duke u zhvilluar në një lëndë tjetër.
PSRK-ja kërkon të anulohen aktvendimet e kundërshtuara dhe të caktohet paraburgimi për një muaj kundër shtatë të pandehurve.
Përgjigjet e të pandehurve në ankesën e PSRK-së mohojnë të ekzistoj dyshimi i bazuar kundër secilit të pandehur apo ndonjërin nga kushtet e kërkuara me nenin 187 paragrafi 1.2 të KPP-së. Në rast se gjykata sheh ndonjë nga elementet e dhëna, masa e arrestit shtëpiak është e mjaftueshme të eliminoj rreziqet.
Gjykata e Apelit tërësisht pajtohet me vlerësimin e gjyqtarit të procedurës paraprake për dyshimin e bazuar. Rezultatet e hetimit deri më tani bindshëm vërtetojnë nivelin e dyshimit të bazuar kundër të gjithë të pandehurve, se ata kanë kryer vepra penale për të cilat akuzohen.
Ata përballën me ndëshkime të rëna në rast të dënimit.
Kolegji konstaton se rrethanat specifike tregojnë se të pandehurit Sylejman Selimi, Sahit Jashari, Avni Zabeli, Sami Lushtaku, Hyni Thaqi, Jahir Demaku dhe Zeqir Demaku mund të pengojnë zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë.
Në vendimin e gjykatës ndër të tjera thuhet se, frikësimi i dëshmitarit është cilësuar si një problem serioz në Kosovë nga një numër i organizatave ndërqeveritare ndërkombëtare duke përfshirë KB dhe OSBE di edhe shumë organizata jo qeveritare dhe media.
Frikësimi i dëshmitarit është, në veçanti i pranishëm në gjykimet e krimeve të luftës kundër ish-ushtarëve të UÇK-së të cilët perceptohen si heronj nga komuniteti.
Në një pasqyrë të vitit 2006, OSBE-ja ka vërejtur se “problemet më të shumta të frikësimit të dëshmitarit (ndodhin) në rastet më të pandehurit e profilit të lartë, kryesisht ish anëtarë të UÇK-së”.
Misioni i OSBE-së në Kosovë madje ka pohuar se çështja e frikësimit të dëshmitarit ka dëmtuar ndjekjen e rasteve të krimeve të luftës ndoshta më tepër se çdo çështje tjetër.
Kolegji është i vetëdijshëm lidhur me faktin se në lëndën në fjalë, disa dëshmitarëve të cilët kanë qenë, më të cenueshëm u janë, miratuar masat mbrojtëse në bazë të ligjit, d.m.th tetë dëshmitarëve u janë dhënë pseudonime në bazë të urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake të datës 22 mars 2013.
Në aktvendimin e kundërshtuar, gjyqtari i procedurës paraprake ka konsideruar se kjo masë mbrojtëse e caktuar vlerësohet se e ulë shkallën e rrezikut të frikësimit ndaj secilit të pandehur.
Kolegji nuk pajtohet me këtë lloj qasje të gjyqtarit të procedurës paraprake, në veçanti duke pasur parasysh problemet e dokumentuara gjatë zbatimit të masave të tilla mbrojtëse në Kosovë.
Kolegji pajtohet me prokurorinë special se masat mbrojtëse të përmendura për dëshmitarët kryesorë thjeshtë vetëm mund të fshehin identitetin e tyre para opinionit përderisa të pandehurit mund të kenë qasje të lehtë rreth identiteti të dëshmitarëve.
Aktvendimi përkatës i gjyqtarit të procedurës paraprake është në dispozicionin e avkokatët mbrojtës./Indeksonline/
Më poshtë gjeni vendimin e plotë të kolegjit