Ndërhyrje te një 58-vjeçar i paralizuar, Koçiu: Falë punës së shkëlqyer të mjekëve është në gjendje të ecë

TIRANË, 20 shkurt /ATSH/ Ekipi i mjekëve në repartin e neurokirurgjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë ka realizuar me sukses një ndërhyrje te një pacient 58-vjeçar i paralizuar.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e ka cilësuar këtë ndërhyrje një tjetër histori suksesi nga shërbimi i Neurokirurgjisë në QSUT.
Ministrja shprehet se “një pacient 58-vjeçar, i paralizuar prej dy javësh për shkak të një hernie diskale torakale të kalcifikuar, iu nënshtrua një ndërhyrjeje të ndërlikuar që zgjati rreth 7 orë. Falë punës së shkëlqyer të ekipit multidisiplinar, sot ai është në gjendje të ecë dhe ka rifituar të gjitha funksionet autonome”.
Ministrja u ka shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin për punën e kryer edhe ekipit të mjekëve dhe infermierëve: Prof. Artur Xhumari, shef i Shërbimit të Neurokirurgjisë, prof. asc. Artid Lame, dr. Ilir Skënduli, dr. Maren Ruka. Anestezist dr. Myfit Saraci dhe instrumentare Manjola Pjetri, Gena Hazizolli, Anxhela Gjona.
“Profesionalizmi dhe përkushtimi i tyre shpëton jetë çdo ditë”, thotë Koçiu në postimin në rrjetet sociale.
Ndërsa, prof. asc. Artid Lame thekson në video se “bëhet fjalë për një pacient 58-vjeçar, fizikisht të shëndetshëm që ka nga mesi i dhjetorit pas një pune fizike të zakonshme ka ndjerë një dhimbje të fortë në shpinë dhe dhimbje të këmbëve”.
“Pasi është bërë një rezonancë dhe një skaner është parë që kemi të bëjmë me një hernie diskale torakale, të kalcifikuar, që e bën të vështirë heqjen. Pasi pamë pacientin, e gjykuam të udhës që të konsultohemi me një kirurg torakal me doktor Ilir Skëndulin dhe vendosëm të bënim një kirurgji multidisiplinare për të hequr atë hernien e fortë dhe të kalcifikuar me rrugë transtorakale”, thotë Lame.
Sipas mjekut, duhej që ndërhyrja kirurgjikale të realizohej jo nga pas apo anash, siç është bërë deri më tani, por nga pjesa e përparme e toraksit.
“Kemi kryer një operacion rreth 6-7 orë dhe kemi dalë në orët e vona të pasdites. Megjithatë kur sheh pacientin që është i kënaqur, lodhja harrohet. Ajo që na ka bërë të gëzohemi dhe krenohemi, është fakti se të nesërmen në mëngjes pacienti lëvizte shumë mirë këmbën e majtë dhe kjo ishte një surprizë edhe për ne. Aktualisht, pacienti është në gjendje të ecë vetë, deri në gjashtë muaj do vazhdojë përmirësimi, pas dy muajve do kemi një kontroll edhe klinik edhe radiologjik, por me ato kontrollohet që kemi bërë tani jemi shumë të kënaqur dhe pacienti vetë është shumë i kënaqur dhe ka qenë një kërkesë e tij për të ndarë falënderimet që i kushtohen stafit të mjekëve”, përfundon Lami.
/r.e/