E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Kur shoh sot pemët e rritura në akset kryesore të Tiranës së atëhershme, them se ia ka vlejtur balta dhe gurët që kam ngrënë

TIRANË, 20 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Tirana është për të prova se si Kandahari i vitit 2000 është kthyer në një qytet europian.

Në një takim me punonjësit e bashkisë së Tiranës në sheshin “Skënderbej”, kryeministri Rama tregoi se cili ishte momenti kur vendosi të përfshihej në politikë.

“Mua më ka futur në këtë luftë shiu dhe balta e varrezave të Sharrës kur erdha atëherë nga Franca për të përcjellë tim atë dhe u kthyem në shtëpi nga varrimi sikur ishim kthyer nga lufta me baltën deri afër gjunjëve. Prandaj aty nuk i ika dot tundimit që t’i thosha po thirrjes së kahershme të Fatos Nanos për t’u përfshirë në qeveri, që deri aty nuk e kisha marrë ndonjëherë në konsideratë”, shtoi Rama.

“Pastaj rruga e jetës politike, por besoj më shumë fati i shkruar mua më nxori në krye të bashkisë së Tiranës tamam ku ishte mbledhur gjithë balta, llumi, pluhuri i një gjendjeje natyrore pa ligj, pa shtet dhe pa kontroll dhe të një qyteti që ishte kthyer në tokë të askujt me bekimin e bufit të kënetës ku pushtohej çdo pëllëmbë e lirë dhe pemët binin përditë si ata robërit kur i pushkaton”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “kur i sheh sot ato pemët e mbjella që janë rritur në akset kryesore të Tiranës së atëhershme them se edhe për aq do ia kishin vlejtur gurët dhe balta që kam ngrënë që atëherë”.

Por, sipas tij, edhe mbjellja e pemëve i është konsideruar pastrim parash të drogës në komisionin hetimor.

“Edhe mbjelljen e pemëve te ai komisioni hetimor që patë në televizor, besojeni apo jo, por ma kanë quajtur pastrim parash të drogës, pemë për pemë, të kumbullave të kuqe, pastrim i parave të drogës. Imagjinojeni sa vite ka ky avaz”, shtoi Rama.

“Por sot që ka shumë më shumë se aq për të parë Tirana është për mua prova se siç kjo luftë e pafundme përballë gjithfarë horrash dhe horrllëqesh nga të katër anët, nga ata horra dhe horrllëqe që nuk e lanë këtë vend të ngrinte kokë as kur ngriti flamurin e pavarësisë, që nuk ju ndanë këtij vendi që nga vitit 1912, sot e ka bërë qytet europian Kandaharin e vitit 2000. Fiks si ajo luftë, edhe lufta e pafundme përballë llumit të një kënete të gjithë politike dhe mediatike dhe një deti paragjykimesh për shqiptarinë dhe shqiptarët do ta bëjë ‘Albanian’ shtetin e ri europian në vitin 2030”, siguroi Rama. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›