E Diel, 1 Nëntor 2026

Indi, besimtarët hindu në lum për të larë mëkatet

INDI- Mijëra besimtarë hindu bashkë me fëmijët e sendet e tyre më të shtrenjtë u krodhën në ujërat e lumit Ganxhe për të larë mëkatet në ditën e eklipsit diellor, duke përmbushur kështu një ritual të rëndësishëm që është pjesë e Kumbh Mela. Një numër i madh policësh me kuaj patrulluan nëpër rrugë për të ruajtur sigurinë gjatë këtij rituali.Rreth një milion burra, gra e fëmijë janë kredhur në ujërat e lumit Ganxhe gjatë këtyre ditëve. Hindutë besojnë se kredhja në Ganxhe gjatë periudhës katër mujore të "Kumbh Mela" shplan mëkatet që kanë bërë gjatë vitit.Eklipsi i zgjatur i diellit i dha një hov të ri përmbushjes së këtij rituali. Baba Ram Vilas, një murg Hindu iu tha gazetarëve se yjet ishin renditur në mënyrë vërtet të pazakontë. "Sot kemi të bëjmë me një renditje të pazakontë të yjeve si dhe një eklips dielli, diçka tepër e rrallë" tha Baba Ram Vilas. "Kjo gjë ndodh pas një kohë tepër të gjatë. Kjo renditje mund të ketë ndikim të madh tek njerëzimi si dhe të shpjerë drejt katastrofës".Edhe pse shkencëtarët janë dakort me idenë se ky fenomen i rrallë do të përsëritet vetëm pas 1.000 vjetësh agjensia hapësinore amerikane NASA tha se eklipsi i diellit nuk ndryshonte nga ata të ndodhur më parë. "Kredhja në ujë në këtë kohë është shumë frytdhënëse. Kështu ke mundësi të shplash mëkatet e ta nisësh vitin i ripërtëritur tërësisht" tha prifti Hindu Babu Ram Sashtri.Më tepër se 50 milion njerëz nga mbarë vendi e më gjerë pritet të vizitojnë qytetin Hariduar gjatë muajve të ardhshëm, bënë të ditur autoritetet. Pas kredhjes në ujë shumë prej të pranishmëve mbushën shishe ose enë metalike me ujin e lumit për ta marrë me vete për ata që nuk kishin mundur të vinin dot.Hariduar është një ndër katër vendet ku Garuda, profeti i besimit Hindu, thuhet se është shplodhur pas betejës me djajtë për nektarin e përjetësisë. Udhëtimi i Garudës zgjati 12 ditë hyjnore, ose 12 vjet sipas kohë matjes në jetën tonë, ndaj festimi i "Kumbh Mela" bëhet një herë në 12 vjet. Shumë pelegrinë kryejnë akte të ndryshme bamirësie si dhënie të hollash e ushqime të varfërve apo rruarjen e kokës gjatë vizitës në këtë vend. Raxhiv Kumar, një prej berberëve që ndodheshin në këtë vend, tha se vizitorëve iu pëlqente të kryenin vepra të ndryshme bamërise si dhe të ndiqnin rituale të ndryshme gjatë Kumbh Mela. "Pelegrinët vijnë plot devotshmëri në Hariduar ndaj e dinë që duhet të përmbushin një sërë ritualesh. Qethja e flokëve është një prej ritualeve që shpreh besimin e tyre". (s.t/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›