Indi, përplaset avioni, 160 viktima
Rreth 160 persona mendohet të kenë humbur jetën pas rrëzimit të një avioni pasagjerësh, në një qytet në jug të Indisë. Sipas burimeve, menjëherë pas ngjarjes ka pasur edhe të mbijetuar nga rrëzimi i avionit, ndoshta 7 persona, ndërkohë që në bord ndodheshin 160 vetë dhe 6 anëtarë të ekuipazhit. Avioni duket se ka tentuar që të ulet, por nga pamundësia është përplasur, duke shkaktuar menjëherë një shpërthim shumë të madh dhe flakë që janë vënë re që prej shumë larg. Të mbijetuarit e kësaj tragjedie të fundit ajrore kanë deklaruar se ata ishin të tmerruar nga mënyra se si rrodhën ngjarjet dhe nga forca e përplasjes dhe zhurma që shoqëroi atë. Të gjithë flasin për një zhurmë shumë të madhe, që në fakt është dëgjuar në momentet para përplasjes dhe që është pasuar nga një zhurmë e dytë edhe më e madhe, që do të ketë qenë zhurma e përplasjes e shkaktuar nga flakët. Me të rënë në tokë, avioni ka marrë flakë dhe janë ndezur gjithashtu edhe disa pemë dhe shkurre. Të gjithë pasagjerët e avionit kanë qenë indianë, një pjesë e madhe e tyre po ktheheshin nga Gjiri për të vizituar familjet e tyre në atdhe, pas punës. Në bord kanë qenë edhe 20 fëmijë. Avioni i është shmangur rrugës ajrore të zakonshme dhe është përplasur në një vend të mbushur me pemë dhe shkurre të larta. Në atë kohë po binte një shi i lehtë dhe kjo ka ndihmuar që flakët të shuheshin më shpejt. Në fakt, aeroporti në të cilin do të zbriste avioni, është në majën e një kodre dhe përbën gjithmonë një sfidë për të gjithë pilotët, pasi terreni është i vështirë dhe mbi të gjitha, ka shumë lagështirë dhe shpesh bie shi. Fillimisht skuadrat e shpëtimit e kanë pasur të vështirë që të futen në avion dhe të merren me pasagjerët për të shpëtuar ata që mund të shpëtoheshin, por gjithsesi brenda një kohe të shkurtër trupat e pajetë dhe ata që kanë qenë ende gjallë janë nxjerrë nga avioni. Të plagosurit kanë pasur kryesisht probleme me djegiet e trupit dhe janë dërguar menjëherë me helikopterë në spital për t’u kuruar. Veç djegieve kanë pasur edhe gjendje shoku të fuqishëm. Një nga të mbijetuarit ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Një pjesë e trupave të nxjerrë nga avioni kanë pasur djegie aq të mëdha, sa ka qenë shumë e vështirë që të njiheshin dhe të identifikoheshin. Edhe trupat janë nisur në morg. Ende ka mbetur mister shkaku i devijimit të rrugës së avionit dhe përplasja nëpër pyllin me pemë dhe me shkurre. Sipas njoftimeve të deritanishme mund të bëhet fjalë ose për një gabim të pilotit, ose për ndonjë defekt të beftë teknik që e ka bërë avionin të pamanovrueshëm. Një nga të mbijetuarit tha se fillimisht, ulja dukej e qetë, por më pas askush nuk e mori vesh sesi avioni devijoi dhe u përplas brenda disa çasteve, duke e humbur tërësisht kontrollin. Avioni i aksidentit ishte një Boeing 737-800 rreth 3 vjet i vjetër. India nuk ka shënuar vitet e fundit probleme me avionët pasi, shteti tregon kujdes të veçantë për mirëmbajtjen e tyre, ndaj ky rast, duke qenë se avioni ishte i ri deri më tani, ka mbetur mister.
#