Rasmussen paralajmëron reduktime të mëtejshme të KFOR-it
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, i cili po kryeson një vizitë të Këshillit Atlantikoverior të Aleancës në Kosovë, tha se qytetarët e Kosovës këtë vizitë duhet ta shohin si angazhim të NATO-s për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon. Ai tha se situata e sigurisë në Kosovë po vazhdon të përmirësohet, me gjithë disa komplikime politike dhe incidente të vogla. Numri një i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, tha se reduktimi i trupave të KFOR-it do të vazhdojë dhe në Kosovë do të mbeten pak më shumë së dy mijë trupa, mirëpo ai nuk saktësoi datën se kur do të merret vendimi përfundimtar.
Rasmussen: Vendimi për reduktimin e mëtejshëm të KFOR-it do të merret kur ta lejojnë kushtet e sigurisë
Kur ta ndërmarrim hapin tjetër, kjo do të jetë, sepse kushtet e lejojnë këtë. Të gjithë në Kosovë duhet të jenë të inkurajuar nga kjo, sepse kjo tregon se njerëzit në Kosovë po jetojnë në një mjedis të qetë. Kur KFOR-i ta përmbyllë procesin e reduktimit, më shumë se dy mijë trupa do të qëndrojnë në Kosovë dhe shumë të tjera do të jenë të gatshme që të dislokohen këtu natyrisht në rast nevoje. Dua të siguroj se ne do të qëndrojmë në Kosovë për sa kohë është e nevojshme”, tha sekretari Rasmussen.
“Asnjë hap nuk do të ndërmerret në reduktimin e mëtejshëm, derisa të jemi të sigurt se situata e sigurisë e lejon këtë. Vendimi do të merret pas një analize të mirëfilltë ushtarake dhe politike”, tha sekretari Rasmussen.
Dy ditë më parë, në veri të Kosovës u sulmua me armë zjarri një qendër banimi e KFOR-it, mirëpo nuk pati të lënduar. Ky sulm pasoi një letër kërcënuese të shkruar në gjuhën serbe, ku thuhej se sulme të tilla do të ndodhin mbi KFOR-in edhe në të ardhmen, sepse KFOR-i po mban anën e shqiptarëve, duke harruar serbët e mbetur në Kosovë. Mirëpo sekretari i përgjithshëm i NATO-s siguroi serbët e Kosovës se KFOR-i është këtu për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Rasmussen: KFOR-i do të vazhdojë të mbrojë si shumicën ashtu edhe pakicën në Kosovë
“Kur them njerëzit në Kosovë, them të gjithë qytetarët, të gjitha komunitetet. Unë më vonë do të qëndroj në manastirin e Decanit për të takuar udhëheqësin fetar ortodoks serb, Theodosije, dhe këtë mesazh do t'ia përcjell edhe atij, se KFOR-i është në Kosovë që të mbrojë edhe shumicën, edhe pakicat”, tha sekretari Rasmussen. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s dhe komandanti i KFOR-it, pas interesimit të gazetarëve, nëse KFOR-i mbështet misionin EULEX-in në hetime, që po zhvillon për korrupsion kundër zyrtarëve të lartë të qeverisë, thanë se drejtësia duhet të kryejë punën e saj.
Rasmussen: Kush dhunon legjislacionin, duhet të përballet me drejtësinë
“Ata njerëz që dhunojnë legjislacionin duhet të përballen me drejtësinë dhe në fund të fundit qytetarët e Kosovës do ta pranojnë se rendi dhe ligji janë e ardhmja e Kosovës”, tha Anders Fogh Rasmussen.
Këshilli Atlantikoverior i NATO-s, i kryesuar nga sekretari Anders Fogh Rasmussen, gjatë mbrëmjes do të takojë udhëheqësit më të lartë politikë të Kosovës, si dhe shefat e misioneve ndërkombëtare, ata të misionit EULEX, të UNMIK-ut dhe të OSBE-së. Ai do të realizojë gjithashtu një vizitë edhe në manastirin e Decanit.
#