E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

India kalon Kinën për popullsinë

Ekonomikisht India nuk e ka arritur ende Republikën Popullore të Kinës, por për nga popullsia po.

OKB njoftoi shifrat duke thënë se vendi aziatik nga e premtja e kaluar numëron 1,425,775,850 banorë, duke u bërë numri një për nga popullsia në botë.

Edhe pse shumë persona në Indi e pranojnë me kënaqësi se bota ka ndryshuar, jo të gjithë indianët e kanë pritur me padurim dhe gëzim këtë rekord. Shumë indianë rriten nën një presion dhe konkurrencë shumë të madhe.

Atyre u duhet të luftojnë fort për të siguruar një vend në një shkollë të mirë, në spital madje edhe një vend në tren.  Me gjithë rekordin e ri rritja e popullsisë në Indi që nga fundi i viteve 1980 ka ardhur duke rënë.

Sipas anketave të fundit lindshmëria në Indi është 1.6 fëmijë për grua në qytete dhe 2.1 në zonat rurale. Popullsia e Indisë është gjithashtu më e re se në shumë vende të zhvilluara. Sipas World Population Review mosha mesatare në Indi është 28.7 vjeç. Për krahasim: në SHBA ajo është 38.5 vjeç, në Kinë 38.4 dhe në Zvicër 42.7 vjeç.

Pra tani që Rusia ka pushtuar Ukrainën dhe Kina po forcohet, shumë vende perëndimore me një moshë mesatare më të lartë po përpiqen të thithin punëtorë të kualifikuar nga India. Për një të tillë shpreson edhe qeveria indiane, sepse në Indi ka mungesë vendesh pune për popullsinë e re të vendit.

/rtsh/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›