Lufta në Ukrainë/ Sulmet ruse shkaktojnë viktima dhe dëme në infrastrukturë

Forcat ukrainase zmbrapsën disa sulme ruse në rajonin lindor të Donjeckut, njoftoi të hënën ushtria e Ukrainës. Në raportin e saj ditor thuhet se ushtria ruse kreu 25 sulme raketore dhe 42 sulme ajrore në qytetet Zaporizhja dhe Komishuvaka në rajonin Zaporizhja dhe Mikollajiv.
“Në mesin e popullatës civile ka të vdekur dhe të plagosur. Ndërtesa të larta dhe private banimi janë dëmtuar, ashtu si edhe institucione arsimore, spitale, kisha dhe objektiva të tjera të infrastrukturës civile”, tha ushtria pa e specifikuar numrin e viktimave.
Forcat ruse, pavarësisht humbjeve të konsiderueshme, vazhdojnë t’i përqendrojnë aksionet e tyre sulmuese në qytetet Liman, Bahmut, Avdijivka dhe Marinka në rajonin e Donjeckut.
Bahmuti, ku luftime të ashpra, dhe Avdijivka mbeten epiqendra të betejës në Ukrainën lindore, tha ushtria.
Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se luftëtarët e grupit mercenar Wagner kanë kapur dy blloqe të tjera të qytetit të Bahmutit. Por, pretendimet e asnjërës palë nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Njëqind e tridhjetë të burgosur lufte ukrainas janë liruar dhe janë kthyer në shtëpi në “shkëmbimin Pashkëve”, tha një zyrtar i lartë presidencial ukrainas, por nuk është e qartë se sa rusë u kthyen në anën tjetër.
Ukraina ka lënë të kuptohet se së shpejti do të nisë një kundërofensivë për të rikthyer më shumë territor. Me ndihmën e armatimit nga Perëndimi, Kievi ka arritur të rikthejë tashmë një përqindje të madhe territoresh nën kontrollin e vet.
Presidenti brazilian, Lula da Silva, ka bërë thirrje për krijimin e një grupi vendesh që nuk janë të përfshira në luftën Rusi-Ukrainë për të ndërmjetësuar paqen. Lula, i cili ka kritikuar rolin e SHBA-së dhe BE-së në konflikt, foli për përpjekjen për të mbledhur një grup liderësh që “preferojnë të flasin për paqen sesa për luftën”, duke përmendur Xi Jinping të Kinës dhe presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, sheikh Mohamed bin Zayed al-Nahyan, me te cilin ai zhvilloi një takim javën e shkuar.
/rtsh/