Indiani gjen të ëmën në Google Earth pas 25 vitesh
Një i ri indian ka arritur të gjejë nënën e tij pas 25 vitesh me anë të Google Earth. Saro, i ndarë nga nëna në moshën 5-vjeçare, në vitin 1986, pasi kishte humbur gjatë një udhëtimi me tren, ku e kishte zënë gjumi. Kur ishte zgjuar nuk kishte gjetur as nënën dhe as vëllain e tij afër. Më pas, duke hipur e zbritur nëpër trena për ti kërkuar ata kishte përfunduar në Kalkuta. Saro ishte bërë lypës në këtë qytet të varfër, e kishin çuar në jetimore dhe pastaj ishte birësuar nga një familje australiane. Tani, ai vendosi të përdorte pamjet satelitore për të krahasuar kujtimet e vegjëlisë. Ai e gjeti qytetin e lindjes nga një digë dhe një lumë dhe iu kujtua edhe shtëpia e tij e vjetër, tani e boshatisur. Shkoi në Indi, fqinjët e çuan te nëna e tij, e cila e kishte pritur për vite me radhë, pasi një fallxhore e kishte siguruar se do të ritakoheshin.