E Diel, 1 Nëntor 2026

Pantiq për zgjedhjet: Bogdanoviqin se merr askush seriozisht

Përfaqësuesit politikë të serbëve nga pjesa veriore e Kosovës, nuk i përfillin apelet e ministrit për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, për mos organizimin e zgjedhjeve lokale serbe në territorin e Kosovës. Ata thonë se kryetarja e parlamentit të Serbisë, Slavica Gjukiq-Dejanoviq i ka shpallur zgjedhjet në gjithë territorin e Serbisë, përfshirë, siç thonë ata, edhe Kosovën, kështu që mos organizimi i zgjedhjeve, nga këta përfaqësues, konsiderohet se do të ishte shkelje e vendimeve shtetërore serbe.

Kryetari paralel i komunës së Mitrovicës, Krstimir Pantiq thotë se deklaratat e ministrit Bogdanoviq nuk i merr askush seriozisht, ndaj sipas tij, zgjedhjet lokale do të mbahen në të gjitha komunat e Kosovës ku aspektet e sigurisë lejojnë mbajtjen e tyre dhe në cilat organeve lokale u ka skaduar mandati.

“Sa i përket veriut, jam i sigurt se do të mbahen në komunat e Zveçanit, Zubin Potokut”, thekson Pantiq, për Radio Evropën e Lirë, ndërsa shton se zgjedhjet do të mbahen edhe në komunën e Shtërpcës.

Përveç këtyre tri komunave, Pantiq aktualisht nuk është i sigurt nëse zgjedhjet do të organizohen edhe në mjedise tjera ku jetojnë serbët.

Ndërkaq një tjetër lider i serbëve të veriut, Milan Ivanoviq, thotë se është jo e logjikshme që të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale e të mos mbahen ato lokale.

“Nëse do të pranonim që të mos i mbajmë zgjedhjet lokale kjo do të nënkuptonte se po e pranojmë planin e Ahtisarit dhe Kosovën e pavarur”, thotë Ivanoviq.

Sipas tij, deklaratat e Bogdanoviqit nënkuptojnë shuarjen e institucioneve serbe duke i konsideruar apelet e ministrit serb të papranueshme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›