Indiferenca qeveritare ngrin marrëveshjen mes spitaleve Durrës-Piza

Vazhdon të qëndrojë peng i burokracisë shtetërore dhe indiferencës qeveritare një nga marrëveshjet më të rëndësishme të nënshkruara katër vite më parë mes autoriteteve të Qendrës Spitalore të Pizas në Itali dhe spitalit të Durrësit. Protokolli që është nënshkruar me 31 mars 2005 mes palëve që shprehen gatishmërinë për ta përfshirë shërbimin spitalor në Durrës në nivelin e qendrave të zhvilluara evropiane ka ngecur i pazbatuar vetëm për shkak të indiferencës së palës shqiptare.
Ndërrimi i Ministrit të Shëndetësisë ka pasuar me njohje e mosnjohje të marrëveshjes që ka lënë pezull shumë projekte, të cilat kanë marrë miratimin nga autoritetet e Qendrës Universitare Spitalore Piza, rajoni Toskanës, një ndër më të kualifikuarat në Itali dhe që ka shfaqur e afruar potenciale mjekësore, pajisje dhe konsulencë të veçantë për shërbimet e vështira në Shqipëri e në Kosovë. Janë më shumë se 2500 shërbime të planifikuara e të detajuara deri në imtësi që do të realizoheshin nga mjekë italianë e shqiptarë ndërkohë që fondi në më shumë se 2.5 miliard euro do të përballohej kryesisht nga Piza dhe OJQ, ndërkohë që pala shqiptare do të afronte fonde simbolike. Në spitalin e Durrësit pohohet se marrëveshja nuk ka ngecur por se duhet parë edhe një herë. Por në të vërtetë një skaner i premtuar falas nga Piza me vlerë të përgjithshme 45 mijë euro dhe i paketuar nuk është sjellë në pritje të një miratimi nga Tirana zyrtare. Spitali i Durrësit ka ndërruar disa herë drejtuesit që nga koha e nisjes së bisedimeve me drejtues të Pizas në Itali në vitin 2003 në varësi të ndërrimit të ministrit të Shëndetësisë. Pikërisht ky fakt ka lënë marrëveshjen në letër, pas një periudhe shumë të frytshme që nisi me mjaft vrull, duke vënë në merak të madh palën italiane e cila, e habitur nga fakti, as nuk është tërhequr por as edhe nuk ka ndërmend të ndërmarrë hapa të tjerë. Durrësi në kuadër të projektit për tu transformuar në qendër universitare do të përfitojë nga bashkëpunimi me palën italiane shërbime të reja në patologji tepër të vështira. Mosnjohja nga një pjesë e politikës shqiptare të detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshje të cilat kalojnë periudhat e mandateve politike ka zbehur tepër protokollin dhe ka bindur italianët se autoritetet shqiptare vijojnë të jenë pengje të egoizmave. Në verën e vitit të kaluar në Piza u rifirmos marrëveshje dhe për palën italiane u autorizua të nënshkruajë zëvendësi i drejtorit gjeneral dr. Enrico Desideri. Por, firma e autoritetit nënshkrues për qendrën e Pizas është vënë në dyshim nga pala shqiptare. Kjo e fundit kërkon detyrimisht firmën e drejtorit, dr. Desideri, duke mjegulluar shkaqet e vërteta të mos hapjes rrugë të projekteve tepër të rëndësishme. Sipas disa pohimeve thuhet se autoritetit Italian në Piza i është kërkuar që protokolli për këtë marrëveshje të transferohet nga Durrësi në Tiranë dhe enkas në Sanatoriumin e Tiranës por ka qenë dr. Mauro Lazzeri, koordinatori i ngarkuar nga Qendra Universitare në Piza, që është deklaruar se autoritetet shqiptare duhet ti japin zgjidhje fillimisht problemit të lindur e më pas të diskutojnë për marrëveshje të reja. Ministri Solis e konkretizoi në rrugë shkresore idenë e bashkëpunimit italo-shqiptar, ministri Cikuli e a siç ishte, pasuesi i tij Ndoka iu rikthyer bashkëpunimit por pa efekte konkrete dhe tani pritet që administrata e ministres Godo të verifikojë vërtetësinë e firmës së autoritetit të autorizuar italian për të parë ecurinë e protokollit. Aktualisht ky protokoll nuk është i nënshkruar nga pala italiane e cila pas dyshimeve shqiptare pret reagimin zyrtar të Tiranës.