Piano franceze në skenën e arteve
Në kalendarin e aktiviteteve për këtë sezon në Camerata e Tiranës janë planifikuar një sërë koncertesh, të cilat sjellin në Tiranë emra të njohur të artit botëror. Në kuadër të tyre ishte dhe koncerti, i cili u shfaq mbrëmë në skenën e Akademisë së Arteve. I ftuar në këtë koncert ishte pianisti francez Pascal Gallet, i cili konsiderohet nga kritika ndërkombëtare, si një nga më të famshmit e brezit të tij. Mbrëmja koncertore përcolli për publikun një repertor të pasur, i cili ishte i ndërtuar me vepra të autorëve të njohur botërorë. Vepra të njohura nga Janacek, Messiaen, Chopin, etj, u ekzekutuan nën drejtimin e dirigjentit prof. Zhani Ciko, një nga emrat më të njohur të artit shqiptar.
Koncerti i kësaj orkestre harqesh, ka për qëllim evidentimin e vlerave profesionale të instrumentistëve të rinj të kësaj orkestre, tingujt e të cilëve do të na shoqërojnë gjithë sezonin artistik të këtij viti. Orkestra Camerata e Tiranës tashmë ka treguar shumë qartë performancën e saj artistike, duke mbështetur, shoqëruar dhe bashkëpunuar me artistë të mëdhenj ndërkombëtar. Camerata e Tiranës edhe në koncertet që ka zhvilluar më parë ka sjellë për publikun një repertor të pasur simfonik, ku nuk kanë munguar dhe të ftuarit që kanë ekzekutuar këto vepra. Kështu sezoni artistik i saj nisi me veprat e autorëve çek Jozeph Suk dhe Antonin Dvorak. Romantizmi çek erdhi me dy serenata më të njohura të literaturës botërore. Ky udhëtim romantik në Pragë, ishte nën dirigjimin e francezit Jean Michel Ferran, aktualisht drejtues artistik i orkestrës Camerata e Tiranës. Mbrëmja koncertore Udhëtim në Pragë përcolli tingujt e muzikës së dhomës pranë publikut artdashës me notat e talenteve më të reja që ka sot vendi ynë. Nën drejtimin e dirigjentit të madh francez Jean Michel Ferran, që aktualisht është dhe dirigjenti permanent i orkestrës Camerata e Tiranës, i shoqëroi të pranishmit në një udhëtim romantik në Pragë, me dy nga serenatat më të njohura të literaturës botërore, duke venë ballë për ballë ndjeshmëritë muzikore të dy majave të romantizmit çek, serenatat e Jozeph Suk dhe Antonin Dvorak. Projektet e shoqatës Artema kanë në thelb një mision në Shqipëri, që jo vetëm të promovojnë jetën artistike shqiptare duke mbështetur në mënyrë të veçante të rinjtë e talentuar si pjesë aktive të saj, por edhe ballafaqimin e tyre me standardet artistike Evropiane.