E Diel, 1 Nëntor 2026

Individët, deklarim pasurie përmes faturave

Tatim diferencës mes të ardhurave-shpenzime në fund të vitit. Rasti i disbursimit

Projekti i një viti më parë, lançuar nga ministri i Financave, duket se do të realizohet shumë shpejt. Bëhet fjalë për deklarimin e të ardhurave të çdo individi, i cili përmes faturave të mbledhura gjatë vitit, do të mund të përfitojë disbursim deri në një farë mase, që qeveria nuk e ka përcaktuar ende. Deklarata e djeshme e Kryeministrit Sali Berisha për të deklaruar të gjitha të ardhurat, e më pas për t’i tatuar në varësi të shpenzimeve, ka gjetur të papërgatitur zyrtarët e Ministrisë së Financave dhe specialistët e tatimeve, të cilët e kishin të qartë skemën. Ministria thotë se nëse një individ ka paguar më tepër nga sa i takon te “kolona e shpenzimeve të zbritshme”, atëherë ai do të disbursohet, pra do t’i kthehen pas lekët. Shpenzime të zbritshme mund të konsiderohen totali i pagesave për kontributet, qiraja për banesat, apo interesat për kreditë. Aktualisht, për individët që i marrin pagat në bankë, u mbahet direkt tatimi 10 për qind, e në këtë pikë, llogaritja e detyrimit shtesë në fund të vitit nuk do të jetë e vështirë për organet tatimore, në rast se qytetari paraqet faturat e shpenzimeve të zbritshme që ka kryer gjatë vitit. Disi e komplikuar, por që ekspertët e Financave janë të bindur se do të zbatohet me sukses. Kurse nga tatimet jepet shpjegimi i një takse 10 për qind që duhet të paguajnë individët për diferencën mes të ardhurave dhe shpenzimeve të realizuara gjatë një vit. Aktualisht po hartohet projektligji, i cili lidhet me ndryshimet në “Procedurat tatimore”.

Kryeministri

Sipas planit të ri të qeverisë, në Shqipëri do vendoset, në përputhje me kërkesat e prera të praktikës europiane dhe Komisionit Europian, deklarata personale e të ardhurave për të gjithë qytetarët. Kryeministri Berisha prezantoi dje, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, disa amendamente në ligjin e procedurave tatimore, që synojnë thellimin e reformave në sistemin fiskal dhe kanë të bëjnë me vendosjen e deklaratës personale të të ardhurave, krijimin e Avokatit të Tatimpaguesve dhe Këshillit Konsultativ Tatimor. Lidhur me deklaratën personale të të ardhurave për të gjithë qytetarët, Kryeministri Berisha theksoi se ajo vendoset në përputhje me kërkesat e praktikës europiane dhe Komisionit Europian, mbi bazën e së cilës Ministria e Financave do t’u kthejë qytetarëve në fund të vitit, taksat e tepërta që ata kanë paguar.

“Ky dokument, që do ta quaja dokumenti i transparencës universale për të ardhurat e qytetarëve, - u shpreh Kryeministri - i shton shumë detyrimet e Ministrisë së Financave dhe financave të vendit në tërësi ndaj qytetarëve. Mbi bazën e tij, ato do të detyrohen t’u paguajnë qytetarëve në fund të vitit, të gjitha taksat e tepërta që kanë paguar, pasi qytetarët paguajnë taksa në çdo gjë që blejnë. Ata do të mbledhin faturat dhe në fund do të kenë të drejtë, në përputhje me të ardhurat e tyre, të marrin detyrimet që kanë paguar me tepricë. Sot, ky është i pandjeshëm. Qytetarët hyjnë në dyqan dhe mendojnë se nuk paguajnë taksa, por, në të vërtetë, paguajnë edhe në çdo gotë uji. Këtë e kam thënë kur kam qenë në opozitë dhe do ta them dy herë, tani që jam në qeveri. Ndaj ne po fusin deklaratën, një praktikë kjo moderne europiane, por e vonuar te ne. Kanë qenë reforma të tjera ato që kanë bërë që tani, kjo të vijë si përparësi madhore”.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›