OSSH dhe Prifti bunkerizojnë matësit për të justifikuar faturat arbitrare
Përveç refuzimit të ankesave për faturat arbitrare, OSSH në bashkëpunim me ministrin e Energjetikës Dritan Prifti, u mohon qytetarëve edhe të drejtën legjitime për të këqyrur matësit e energjisë elektrike. Bunkerizimi i matësve nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes në katet e para të pallateve, ka qenë dhe është një nga shqetësimet më të kahershme të qytetarëve,
jo vetëm në kryeqytet, por në mbarë vendin. Veprimet e OSSH e mbështetur nga Prifti, shkelin një sërë nenesh të ligjit Për mbrojtjen e konsumatorit, duke filluar qysh te detyrimi i subjekteve për transparencën e shërbimit që ofron, trajtimi i ankesave, dëmshpërblimi etj. OSSH e privon konsumatorin në të drejtat bazë të tij si e drejta e mbrojtjes se interesave ekonomike, e drejta e ankimit, e drejta për dëmshpërblim, e drejta e edukimit, e drejta e njoftimit, e drejta e përdorimit dhe verifikimit të shërbimeve, e drejta e mbrojtjes ligjore etj. Në nenin 37 të ligjit për mbrojtjen e konsumatorit theksohet se shitja e energjisë llogaritet në bazë të konsumit real, të lexuar në aparatet matëse të konsumatorëve, duke shtuar se vlera e konsumit do të paraqitet në një faturë, se bashku me çmimin, në mënyrë të qartë, të lexueshme dhe jo të dyshimtë. Sipas, qytetarëve burimi i gjithë grabitjes marramendëse me anë të faturave zë fill te matësit. Faturisti gjithmonë u thotë qytetarëve që ankohen se kaq ka shënuar sahati, por matësin nuk lejohet të shikohet sepse është pronë e OSSH. Pra, sipas OSSH dhe ministrit Prifti, qytetari ka të drejtë vetëm të paguajë faturat arbitrare, kurse matësi i përket faturistit. E thënë më shkoqur, është sikur një qytetar të blejë një mall, duke iu mohuar e drejta ta shikojë nëse punon apo jo, si punon, është i vjetër apo i ri etj. Deri këtu ka arritur sjellja barbare dhe antiligjore e OSSH karshi konsumatorëve, duke i konsideruar matësit e energjisë si tabu apo sekret. Mirëpo, qytetarët nuk janë aq naivë sa kujton ministrit Prifti dhe OSSH. Qytetarët e dinë se e drejta për të parë sahatin dhe verifikuar atë, është një e drejtë e parashikuar në ligj, që nuk mund ta ndalojë një ministër që ka ardhur vetëm për të vjedhur sa të mundet këto katër vite. Privimi për të këqyrura apo për të verifikuar nga ana teknike matësit e energjisë elektrike, bëhet për të përligjur ankesat e qytetarëve për faturat e fryra. Pasi matësit gjithmonë i justifikojnë shumat e faturës mujore, me argumentin se kaq ka shënuar sahati. Qytetarët shprehen se OSSH, të gjithë matësit e një pallati i ka grumbulluar në katin e parë dhe janë të mbyllura me çelës. Dera e kabinës hapet vetë një herë në muaj, atëherë kur faturisti shtiret sikur po i shikon matësit. Për ti bërë bisht ballafaqimit me konsumatorin, matësi zakonisht vjen natën ose në orët para të mëngjesit, i shikon matësit me shpejtësi dhe largohet duke lënë faturën nën derë.
Prifti dhe OSSH, shkelin të drejtën e ankimit
Ministri Prifti së bashku me OSSH kanë shkelur dhe vijojnë të shkelin të nenin 45 të ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, i cili parashikon shqyrtimin e ankesave të konsumatorëve dhe kthimin e një përgjigje nga ana e organit përgjegjës në varësi të shkeljes së verifikuar. Zyrat e ankesave të OSSH refuzojnë çdo ditë ankesat e qindrave qytetarëve. Refuzimi bëhet për arsyen e thjeshtë se kanë urdhër nga lart se kush pranon ankesa është i shkarkuar nga puna. Konsumatori, kur i shkelen te drejtat, ankohet ne organet shtetërore, përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorëve, në shoqatat e konsumatorëve dhe në organet gjyqësore. Organet shtetërore përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorëve, i kërkojnë prodhuesit, shitësit, furnizuesit dhe ofruesit të shërbimeve zbatimin e ligjit.
Ligji për këqyrjen e aparateve matës
Praktika e ndjekur nga OSSH dhe Prifti duke u mohuar qytetarëve për të parë matësit, shkel disa nene të ligjit për mbrojtjen e konsumatorit. Neni 8 i ligjit për mbrojtjen e konsumatorit parashikon se prodhuesit, shitësit dhe ofruesit e shërbimeve janë të detyruar, në kufijtë e veprimtarive përkatëse, t'i japin konsumatorit të dhëna të plota për blerjen ose përdorimin e mallrave a te shërbimeve ekzistuese në treg. Të dhënat duhet të jenë të vërteta, të sakta, të qarta për të gjitha karakteristikat e mallrave
ose të shërbimeve dhe për kushtet e tregtimit të tyre. Këto të dhëna duhet të përmbajnë natyrën, identitetin e prodhuesit, çmimin, cilësinë, sasinë, dobinë, origjinën, afatin e përdorimit, mënyrën e prodhimit dhe të përdorimit, mënyrën e mirëmbajtjes dhe garancinë. Gjithashtu subjekti duhet të paralajmërojë konsumatorin për rrezikun e mallit ose të shërbimit, kur rreziqet nuk janë të kuptueshme, parashikon pika 2 e nenit 8.
Mënyra e faturimit
Neni 37
1. Shitja e energjisë llogaritet në bazë të konsumit real, të lexuar në aparatet matëse të konsumatorëve. Vlera e konsumit do të paraqitet në një fature, së bashku me çmimin, në mënyrë të qartë, të lexueshme dhe jo të dyshimtë.
2. Faturat e paraqitura konsumatorit duhet t'i japin atij mundësinë për të verifikuar me
përpikëri llogaritjen e shitjes ose shërbimit të siguruar në një periudhe të caktuar.
5. Faturat duhet t'i dorëzohen konsumatorit në vendin e tij të banimit, në mënyrë zyrtare (me postë ose dorazi) dhe jo me vonë se pesëmbëdhjetë dite kalendarike përpara afatit të pagesës së tyre.
Neni 38
Detyrimet e ofruesve të shërbimit
1. Ofruesit e shërbimeve duhet të garantojnë siguri, cilësi dhe vazhdueshmëri të shërbimeve.
2. Sigurimi i lidhjes, i rrjetit të shpërndarjes, si dhe i shërbimit të mirëmbajtjes për energjinë, ujin dhe telekomunikacionin, bëhen për të gjithë konsumatorët, në kushte të njëjta dhe jodiskriminuese.
3. Konsumatorit i lind e drejta për t'u dëmshpërblyer: a) në rastet e ndërprerjeve teknike, të cilat nuk janë shkaktuar nga forca madhore, nga vendosja e gjendjes se jashtëzakonshme, si dhe kur nuk janë lajmëruar me parë dhe kanë penguar konsumatorin nga përdorimi i këtyre shërbimeve për një periudhe më të gjatë se 24 orë;
b) kur shërbimi i ofruar është me të meta dhe ka sjelle dëme te konsumatori.