E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drita Pelinku, një rrëfim mes fotosh

Në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar, Arkivi i Filmit i kushton një aktivitet Drita Pelinkut si aktore, regjisore, pedagoge dhe femër. Një album artistik që përfshin 83 vite jetë

Si femër, si aktore, si pedagoge, si nënë... Për të gjitha këto, Arkivi i Filmit i ka kushtuar një album artistik Drita Pelinkut. Jeta private dhe artistike në 83 vite jetë në një botim prej 112 faqesh që promovohet sot, në orën 11:00, në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar. Një dhuratë kushtuar aktores për 7-8 Mars. është një rrugëtim imazhesh që nisin nga fëmijëria, rinia, hapat e parë në art, rolet më të spikatura në teatër dhe kinematografi. Vet Pelinku ka shkruar poshtë tyre ca fjalë. Janë mbresa apo kujtime që i vijnë natyrshëm sa herë që biseda vërtitet rreth së shkuarës. Pak kohë më parë, në dhomën gjysmë të errët, e ndriçuar veç nga ajo çka depërtonte përmes dritareve, Drita Pelinku hapte e mbyllte me radhë ca rafte. Me lëvizjet e kujdesshme, të kushtëzuara edhe nga mosha, nxjerr prej andej një bllok. Fletët e verdha me cepa të shpupurisur s’të lënë të kesh dyshime se ka kohë që vendoset e zhvendoset nëpër sirtarë. Drita ishte ende një vajzë shumë e re kur nisi të shkruante në faqet e tij. E ka ruajtur me fanatizëm këtë ditar. Pas tij nxjerr edhe fletore të tjera. Nuk janë pak. Edhe ato janë të mbushura me ngjarje të viteve më parë dhe kryesisht me episodet jetës së saj si aktore. Me një buzëqeshje që e karakterizon, na tregoi se po i sistemonte këto materiale. “Asnjëherë nuk i dihet...”, tha ajo dhe nis të shfletojë. Pas kujtimeve të shkruara, janë të shumtë albumet fotografike. Fotografitë e saj personale e familjare shfaqin fillimisht një vajzë shumë të qeshur e më tej një aktore shumë lozonjare. Si e para aktore e shkollës dramaturgjike, shfaqet në krah të aktorëve më të njohur, sot pjesa më e madhe të ndarë nga jeta. “Nuk i hap vazhdimisht shënimet, sepse mungesa e njerëzve të dashur më shkakton dhimbje. Ndodh rrallë kur jam vetëm. Ndërsa nëse vjen ndokush për vizitë dhe biseda vërtitet rreth brezit tonë, atëherë më ngacmojnë kujtimet. Ato më bëjnë të fluturoj”. Veç aktore, Pelinku ka qenë bashkëshorte (u dashurua dhe u martua me artistin e Teatrit të Operës, Hysen Pelinku) dhe nënë e dy vajzave. Kujton se angazhimet jashtë skenës së teatrit nuk kanë qenë të lehta, aq më tepër në ato vite. Por këto ishin përjetime që i takonin vetëm asaj. Publiku e njeh për atë që shfaqej, për rolet e shumta ndër vite (janë 120 në teatër dhe film), si regjisore e dhjetëra pjesëve. Në Teatrin Kombëtar e ka nisur karrierën në vitin 1946 dhe e mbylli vitin e shkuar, për aq sa ajo deklaroi se roli i fundit i saj do të ishte Rouz në monodramën me të njëjtin titull të autorit amerikan Martin Sherman, vënë në skenë nga ish-studenti i saj, Bujar Alimani. Ky i fundit, por edhe shumë të tjerë të brezave të ndryshëm, e mbajnë mend si pedagoge gjatë 33 vjetëve në Akademinë e Arteve. “Hyr, hyr... Mos u zbath! (një sërë fjalësh përkëdhelëse pasojnë të parat). Pothuajse çdo ditë në shtëpinë time vijnë studentë. Ndonëse unë nuk shkoj më të jap mësim, vijnë këtu të më kërkojnë mendime”, thotë Pelinku. Koha nuk ka zhbërë nga ajo kujdesin për veten. “Që nga fillimi deri në fund, rolet e mia kanë qenë ose role vajzash dashnore, ose role grash me një botë të madhe të brendshme, me shpërthime të fuqishme dhe të gjitha këto kanë bërë që unë të kujdesem për trupin tim, për fizikun, flokët, gjithçka që kërkonin këto role”, thotë ajo. Ky album fotografik, i shoqëruar edhe me shënime të miqve e kolegëve të saj, është një tjetër “ditar” i Pelinkut aktore, regjisore e pedagoge.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›