E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Industria e riciklimit, jetike për një mjedis të shëndetshëm dhe mbrojtjen e tij”

09-11-2011 / Gazeta 55

Kryeministri përuron impiantin e përpunimit dhe riciklimit të mbeturinave metalike, një investim gjigant i kompanisë gjermane Sholz

Kryeministri, Sali Berisha ka përuruar dje, impiantin e përpunimit dhe riciklimit të mbeturinave metalike, një investim privat prej 8 milion euro, i ndërtuar në fshatin Vllazrim të komunës Xhafzotaj, 11 km larg Durrësit.
Gjatë fjalës përshëndetëse, Berisha nënvizoi rritjen e vazhdueshme të investimeve të huaja në vendin tonë, të cilat vitin e kaluar arritën shifrën prej 1 miliard e 97 milion USD.
“Me gjithë krizën e stuhishme që ka pllakosur vendet e rajonit, Shqipëria vazhdon të jetë një vend tërheqës për investimet e huaja dhe falë reformave të qeverisë në këtë fushë, rritja e tyre gjatë periudhës 2006-2010 ka arritur në 316 për qind”, tha Berisha.
Ai tha se, këto tregues ndryshojnë krejtësisht nga periudha 1997-2005, kur shifra vjetore mesatare e investimeve të huaja nuk kalonte 38 milion USD.
Duke iu drejtuar Brend Ulrih Sholz, administrator i Përgjithshëm i Kompanisë me filiale në të gjithë botën, Berisha shtoi se “ky investim me mjete moderne dhe me një rezultat final të padëmshëm për mjedisin krijon një degë të re të riciklimit, që i shtohet industrisë ekzistuese. Kjo degë, përveçse punëson mijëra qytetarë, përbën një industri jetike për një mjedis të shëndetshëm. Potencialet e vendit tonë janë njerëzore dhe natyrore dhe ne do të punojmë për ta bërë Shqipërinë një vend tërheqës. Kush premton rikthimin e taksave të sistemit socialist sheh ëndrra me sy hapur”, tha kryeministri. “Në këto vite vendosëm barrën fiskale më të ulët të taksave në Evropë, krijuam One Stop Shop dhe do të punojmë për zgjerimin e lirisë ekonomike”, tha kryeministri i vendit, Berisha.
Më pas duke vizituar impiantin, Beriha tha se, kjo teknologji seleksionon çdo gjë dhe ujërat e tepërta i pastron, njëlloj si ujin e pijshëm. “Unë i ftoj mjedisorët ta vizitojnë këtë impiant, që përbën investimin më të mirë për ta shpëtuar vendin nga mbeturinat metalike”, tha Berisha. Kompania gjermane Scholz është formuar në vitin 1872 dhe pas zgjerimit në të gjitha kontinentet këtë vit ka investuar në vendin tonë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›