Në fokus të bisedimeve, marrëdhëniet dypalëshe dhe procesi i integrimit evropian tё Shqipërisë

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, vizitë zyrtare në Gjermani
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, ka mbërritur në Gjermani, në kuadrin e një vizitë zyrtare dy ditore, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Guido Westerwelle.
Gjatë qëndrimit në Gjermani, Haxhinasto, përveç bisedimeve me homologun e tij gjerman do të zhvillojë takime me Kryetarin e Komisionit të Bundestagut për çështjet e BE-së, Gunther Krichbaum, me deputetë gjermanë, si dhe me këshilltarin e Kancelares Merkel, për Çështjet e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Christoph Heusgen.
Në fokus të bisedimeve do të jenë çështje të marrëdhënieve dypalëshe, të procesit të integrimit europian të Shqipërisë, të bashkëpunimit në kuadrin shumëpalësh, si dhe çështje të rajonit.
Gjatë kësaj vizite, ministri Haxhinasto do të marrë pjesë në një aktivitet të organizuar nga Shoqata Gjermane për Politikën e Jashtme, ku do të mbajë një fjalim me temë, “Shqipëria, Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian”.