Berisha: “Rama dështoi me përpjekjen e tij bllokuese - i ka mbetur veç të mbajë ligjet me 3/5-at si plaçkë tregu”

Përvjetori i parë i liberalizimit të vizave
Kreu i ekzekutivit Sali Berisha doli dje në një konferencë për shtyp, në 1 vjetorin e vendimit të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, ku deklaroi se hyrja në “Schengen”, ishte një proces tërësisht i merituar, i cili erdhi falë reformave dhe zotimit të mazhoranës.
Sipas kryeministrit, “reformat e ‘Schengen’-it u realizuan në kohë, pasi fatmirësisht nuk vareshin nga votat e Ramës, i cili në rastin më të parë bllokoi ligjesh me shumicë të cilësuar, për të penguar integrimin e Shqipërisë në BE. Liberalizimi i vizave ishte një proces tërësisht i merituar. Shqiptarët ishin me fat, pasi reformat për to nuk vareshin nga votat e Ramës. U mundua të bllokojë heqjen e vizave, por që nuk ia doli dot. Kreu i opozitës për të bllokuar vizat me sjelljet e tij, hap kutitë të çlirojnë vizat, me letrat e tij se po hoqët vizat 1 milionë shqiptarë do të derdhen në Europë, patën zero efekt në këtë proces”, u shpreh Berisha.
Ai ka theksuar se Rama është i vetmi lider i opozitës i cili ka bërë të gjitha përpjekjet për të penguar heqjen e vizave ashtu siç pengoi edhe marrjen e statusit të vendit kandidat duke mbajtur peng ligjet me 3/5.
“Shqiptarët ishin me fat se ky proces, ndonëse bazohej në dhjetëra ligje e reforma, nuk bazohej në ligje me 3/5 që të mund ta bllokonte Edi Rama, siç bllokoi çdo ligj me 3/5 përfshirë dhe ata që kanë të bëjnë me sigurinë rrugore dhe jetën e shqiptarëve, me luftën kundër larjes së parave dhe trafiqeve, me gjykimin mbi bazën e Kodit Administrativ (Gjykata Administrative). Na kanë mbetur ligjet me 3/5 që Rama i mban si plaçkë tregu për të dënuar shqiptarët me statusin e vendit kandidat”, tha kryeministri.
Berisha vuri në dukje se heqja e vizave u bë falë reformave të suksesshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare.
“Heqja e vizave erdhi si rezultat i reformave të thella dhe të gjithanshme të cilat vendosën standarde krejtësisht të reja të sigurisë. Reforma që shndërruan Shqipërinë në një prodhues të vërtetë të stabiliteti në rajon dhe më gjerë”.
Kreu i ekzekutivit garantoi gjithashtu se qeveria është e zotuar për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ai tha se bllokuesi i këtij procesi, lideri i opozitës, Edi Rama e mori përgjigjen më 8 maj, me humbjen me 140 mijë vota në shkallë kombëtare. Sipas Berishës, “Ramës i ka mbetur veç ta shpallë veten ‘Kurban’. Në 8 maj Rama përjetoi humbje. Nuk e di nëse do të ngushëllohet duke e shpallur veten ‘Kurban’. Por ai mbetet humbësi me 140 mijë vota në shkallë vendi, me 19 deputet më pak, humbës në shumicën e minibashkive, humbës në Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe të minibashkive”.
Ndërkaq, i pyetur nga mediat në lidhje me një marrëveshje të fshehtë mes mazhorancës dhe opozitës për ligjet me 3/5, kryeministri Berisha theksoi se kontaktet mes dy palëve kanë qenë të domosdoshme.
“Mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike ka kontakte dhe kjo është gjëja më normale. Këto kontakte janë të domosdoshme për të diskutuar për çështje që janë të një rëndësie të dyanshme. Është e sigurt që çdo propozim i opozitës ne e shqyrtojmë me seriozitet të merituar. Ky është qëllimi im konstant dhe i përhershëm dhe këtu s’ka asgjë për t’u çuditur nëse diskutohet për tema që dihen”, u shpreh më tej Berisha, duke ju përgjigjur edhe interesimit të gazetarëve.
Sot është përvjetori i heqjes së vizave, nesër është përvjetori kur Shqipërisë i është refuzuar për herë të parë statusi i vendit kandidat për shkak të ngërçit politik. A jemi sot më pranë zgjidhjes së këtij ngërçi, apo arritjes së një kompromisi me Partinë Socialiste?
Le të flasim hapur, sepse nuk ka mbetur njëri nga Konispoli në Vermosh, që nuk e ka të qartë se statusi u mor peng për interesa personale të pushtetit të Edi Ramës, që bllokoi dhe nuk lejoi grupin e tij të votonte. Një akt që se ka bërë Shesheli në Serbi, një akt që se kanë bërë forcat më ekstremiste në vendet e tyre. Nuk lejoi grupin e tij të votonte 4-5 ligje, që kërkoheshin me shumë të drejtë nga Komisioni Evropian, si dëshmi e një vullneti, që ky vend do të votojë të gjitha reformat e kërkuar. E rëndësishme është se ky proces është i parikthyeshëm. Me 8 maj zoti Rama përjetoi humbjen më të hidhur të të gjitha llojeve të humbura. Nuk e di, do ta ngushëllojë ai veten duke shpallur veten “kurban”, por çfarëdo që ta shpallë ai veten, ai do të mbetet humbësi i pesëfishtë, humbës me 141 mijë vota në shkallë vendi, të konvertuar me 19 deputetë më pak se mazhoranca qeverisëse. Humbës në të gjitha qarqet e vendit, përveç një. Humbës në shumicën e minibashkive të Tiranës. Humbës në Këshillin Bashkiak të Tiranës, humbës në Këshillat Bashkiakë të minibashkive, humbës me 91 vota në garën personale me njeriun që e quajti sozi, çfarë nuk e quajti, por që faktikisht u detyruar ti lëshojë karrigen, mirë e bukur dhe duke i numëruar zotëria e tij çdo votë para syve, e para mediave. Ky është historiku, procesi është i rëndësishëm, por duhet të ecë dhe do të ecë, vetëm mbi bazën e respektimit e parimeve themelore, pa të cilat shqiptarët nuk janë dhe nuk do të mund të jenë të lirë.
Ju thoni se këtë çështje do ta zgjidhin shqiptarët në vitin 2013, kjo do të thotë se deri atëherë nuk do ta marrë statusin e vendit kandidat?
Kjo do të thotë, që qeveria do të bëjë gjithçka ka në dorë, që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, por do të thotë nga ana tjetër, se qeveria nuk është ajo që disiplinon apo udhëheq opozitën. Jo, opozita është sovrane në këtë vend dhe ky është një parim shumë themelor, i cili nuk mund të shkelet kurrë. Nuk keni parë ndonjëherë, që unë të bazoj veprimet apo aktet e mia në prapashpinë, është jashtë kulturës sime politike ajo. Unë bazoj qëndrimet në transparencë të plotë. Pra Edi Rama bllokoi dy vite më radhë, thirri zgjedhjet lokale plebishitare, është shumë e vërtetë, ai tha se ky është referendum kundër qeverisë dhe qeveria doli me 141 mijë vota më shumë. Ai ka një veti që realitetin e percepton siç e do vete dhe sikundër nuk është. Pra çfarë ndodhi, janë shqiptarët që do e zgjidhin problemin në 2013, pas 2013 këtë e dinë qytetarët e këtij vendi, unë jam kryeministër, qeverisë mbi bazën e ligjeve dhe Kushtetutës, por e sigurt është që qytetarët do ta zgjidhin. A e dëgjuat atë, a ju mbeti në mendje a u kthyet në moshën 3-4 vjeçare, kur bërtisnit gjithë ditën e treta e vërteta në lojën me litar. Se ai edhe të katërtës i thotë e tretë, por kjo është punë e tij.
Sot opozita do të çojë ne kuvend axhendën e saj për integrimin por është folur për një marrëveshje të fshehtë mes PD dhe PS për ligjet me 3/5 dhe reformën zgjedhore. Sa e vërtetë është kjo?
Midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në mënyrë të padiskutueshme, ka pasur, ka dhe do të ketë kontakte, kjo është gjeja më normale. Këto kontaktet janë të domosdoshme, për të diskutuar për çështje, të cilat janë të një rëndësie të caktuar të dyanshme. Është e sigurt, që çdo propozim të opozitës ne e shqyrtojmë me seriozitetin e merituar. Ky është qëndrimi ynë konstant, i përhershëm, doktrinar, programor i PD. Ndaj dhe këtu, nuk ka asgjë për tu çuditur për sekretuesen, këtu nëse diskutohet, diskutohet për tema, të cilat janë bërë publike dhjetëra herë qindra herë nga ju.