Industria fasone, 66 mijë punonjës përfitojnë prej përjashtimit nga tatimi
Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të veshjeve mirëpret realizimin e premtimit publik të kryeministrit
Janë 66 mijë punonjës në industrinë fasone që do të përfitojnë direkt nga përjashtimi i tatimit të pagës nën 30 mijë lekë.
Burime nga ministria e Financave bëjnë të ditur se specialistët po punojnë për hartimin e projektligjit që do të lejojë përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat personale, të çdo page nën 30 mijë lekë.
Ndërkohë Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve (DHKPV), si organizata më e rëndësishme e biznesit prodhues në vend dhe që punëson numrin më të madh të të punësuarve, anëtare e Këshillit Konsultativ të Biznesit dhe e Këshillit Kombëtar të Punës, vlerëson deklarimin publik të kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, lidhur me zerimin e taksës së sheshtë mbi të ardhurat personale për të gjithë të punësuarit me pagë nën 30 mijë lekë. Bëhet fjalë lidhur me tatimin mbi të ardhurat personale nga pagat, në rastin kur çdo punëdhënës që paguan një pagë a shpërblim, është i detyruar të llogarisë dhe të mbajë në burim tatimin mbi të ardhurat personale (të ardhurat nga punësimi).
Deklarimi publik i kryeministrit, i bërë në mbledhjen e zakonshme të Grupit Kuvendor të Partisë Demokratike të Shqipërisë në datën 28. 01. 2013 është plotësim i një kërkese të hershme të biznesit të fasonit.
Kjo kërkesë është ripërsëritur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës që vendosi rritjen e pagës minimale në shkallë vendi, në mbledhjen e Këshillit Konsultativ të Biznesit, kur u miratuan ndryshimet në Kodin e Procedurës Tatimore dhe është shprehur gjithashtu edhe në propozimet e paketës së re fiskale që Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve u ka bërë me dije faktorëve politikë dhe ekzekutivë në vend si dhe institucioneve të huaja që monitorojnë ekonominë shqiptare.
Propozimi i rëndësishëm i kryeministrit Berisha vjen në një kohë kur sektori i regjimit të përpunimit aktiv (fason) vijon të jetë i përfshirë në ngërçin e krizës globale, sidomos asaj që vjen nga kontraktorët kryesorë të këtij sektori, siç janë Italia dhe Greqia, volumi i kontraktimit të punës me të cilët, paraqitet në rënie të vazhdueshme.
Gjithashtu propozimi real i kryeministrit vjen kur pesha e këtij sektori, që ka qenë lider në eksportet shqiptare deri në vitin 2011, (duke sjellë sasinë më të madhe të valutës në vend pas remitancave të emigrantëve), ka kaluar në vitin 2012 në një peshë më të vogël. Ai përfaqëson vetëm 26 për qind të totalit të eksporteve, duke reflektuar pasojat e krizës.
Ndërkohë, sipas Lindita Legisi, sipërmarrëse e një aktiviteti fason tregon se nga një vendim i tillë do të përfitojnë plot 150 punonjës të kompanisë së saj.
Veshjet që qepen në këtë kompani, e cila ka nisur punën që nga viti 2001, eksportohen në Evropë dhe më gjerë.
Lindita tregon se pas fuqizimit të këtij vendimi, punonjësit do të kenë rreth 2 mijë lekë më tepër në xhepat e tyre.
Megjithatë, në shumicën e kompanive që qepin veshje apo këpucë punëdhënësit janë të detyruar që tatimin e ndalur nga paga e punonjësit t’u kthejnë atyre dorazi. E në këtë pikë, ekonomistët vlerësojnë se efektet do të jenë të shumëfishta, duke ndikuar edhe në formalizmin e sektorit apo shtimin e punonjësve.