E Diel, 1 Nëntor 2026

Infarkt në fushë, por shpëton (video)

Frikë në Eredivisie: Sno, mesfushor i NEC Nijmegenit ka pësuar një sulm kardiak dhe ka përfunduar në tokë, por ka shpëtuar për mrekulli falë defibrilatorit, i cili ishte vendosur më parë në trupin e tij. Mesfushori holandez kishte rrezikuar të vdiste edhe në vitin 2010, kur luante për Ajaxin.

Frikë dhe terror, por me fund të mirë. Fatmirësisht, jo gjithmonë sulmet në zemër mund të përfundojnë me vdekje. Futbollisti Evander Sno ishte me fat, pasi që i shpëtoi këtij fenomeni, i cili e përcolli në fushë, gjatë sfidës së ligës holandeze Erdivisie, ndërmjet ekipit të tij NEC Nijmegen ndaj Feyenoordit.

Për fat të mirë, mesfushori holandez është ngritur në këmbë pas disa minutash, duke arritur ta lërë terrenin e lojës me këmbët e tij, përkundër diagnozës së tmerrshme të mjekëve. “Sno ka pasur një sulm kardiak. Në sytë e tij kam parë një terror. Është transportuar në spital, sepse defibrilatori e tij i ka shkaktuar aritmi, kështu që ishte e domosdoshme ta shtronim në spital”, ka thënë mjeku i Feyenoordit, Casper van Eijck.

Një gjysmë mrekullie. E tëra si meritë e defibrilatorit, të cilin në vitin 2010 mjekët ia kishin vendosur, pas infarktit që e kishte pësuar Sno (në kohën kur luante në Ajax), gjatë ndeshjes ndaj Vitesses. Në atë rast, për ta shpëtuar djaloshin ishte përkujdesur defibrilatori që ishte i pranishëm në stadium.

Më pas, vetë Sno kishte kërkuar që t’i bëhej një intervenim kirurgjik, për t’ia instaluar atë në trupin e tij. Një zgjedhje guximtare, por që ishte e vetmja mundësi që të vazhdonte ta ndiqte ëndrrën e tij, të luajë futboll.

Sno, i cili në të kaluarën ka veshur fanellën e Celticut, në vitin 2011 ishte afër transferimit në Genoa. Mirëpo, bisedimet u ndërprenë sepse klubi italian refuzoi ta vinte nën kontratë një futbollist që kishte probleme kardiake. Sidoqoftë, Sno së pari duhet të presë t’i përmirësohet gjendja shëndetësore, për të vendosur më pas nëse do të rrezikojë sërish, të luajë futboll.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›