Cana dhe Bogdani, derbi i stolit
Lacio-Siena, sfida e vlefshme për javën e 6-të të Serisë A, pritej të ofronte një derbi shqiptarësh në fushë mes Lorik Canës dhe Erjon Bogdanit, edhe pse ndoshta vetëm për pak minuta. Por sfidën e tyre dy lojtarët e përfaqësueses shqiptare e luajtën në stol, sepse as mesfushorit të Lacios dhe as sulmuesit të Sienës nuk iu dha mundësia të zbrisnin në terrenin e lojës qoftë edhe për një minutë. Cana nuk po arrin të fitojë besimin e trajnerit Petkoviç, ashtu sikurse Bogdani atë të Kozmit. I vetmi nga legjionarët që ka luajtur dje ka qenë portieri Samir Ujkani. “Gardiani” i Palermos ka festuar suksesin e parë me sicilianët në këtë sezon, por edhe dje ka pësuar gol nga Kievo, duke e çuar kështu në 10 numrin e topave që ka nxjerrë nga rrjeta. Gjithsesi, Ujkani nuk ka qenë kurrë fajtor për golat e pësuar, ndërsa dje është dëfryer duke ndalur disa raste flagrante, por edhe me golin spektakolar të kapitenit të tij, Fabricio Mikoli, që realizoi nga 40 metra.
Dallku dhe Januzi – Dy lojtarët e tjerë të përfaqësueses, mbrojtësi Armend Dallku dhe sulmuesi Ahmed Januzi, e kanë nisur si titullarë me Vorsklan sfidën e fituar 1-0 kundër Iliçivets. Dallku ka luajtur për 90 minuta, ndërkohë që Januzi ka hasur probleme fizike dhe është detyruar të lërë fushën pas 28 minutave lojë, kur është zëvendësuar nga Lietava.
Kukeli kundër Gatuzos – Burim Kukeli, titullar me Zyrihun, nuk ka mundur të shkojë më shumë se një barazim 2-2 përballë Sionit të Xhenaro Gatuzos. Mesfushori i Shqipërisë vazhdon paraqitjen e tij pozitive, në pritje të grumbullimit të ardhshëm në përfaqësuese.
Sallaj – Agonit Sallaj ka parë skuadrën e tij, Biel-Bien, të humbë 3-2 në transfertë kundër Belinzonës, takim i vlefshëm për kategorinë e dytë zvicerane. Mbrojtësi shqiptar ka zbritur në fushën e lojës në minutën e 67-të, duke zëvendësuar De Feon, por nuk ka mundur të shmangë disfatën e ekipit, që u dorëzua në minutën e 96-të, pasi Neumajr realizon me penallti.