Erë e keqe
_927948.jpg)
FIFA tashmë ka konfirmuar se vendimi i saj i muajit maj për ta lejuar përfaqësuesen e Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare nuk do të anulohet, por presidenti i shtëpisë së futbollit botëror, Sepp Blatter ka pohuar se në mbledhjen e 14 dhjetorit të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, do të përzgjidhen modalitetet e implementimit të atij vendimi.
Pra, pritet që FIFA t’ia qesë disa lloj ‘kushtesh’ Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) se në çfarë mënyre t’ia organizojë miqësoret ndërkombëtare.
Por, shtrohet pyetja se çfarë lloj ‘kushtesh’ do të obligohet FFK-ja t’i përmbushë gjatë proceseve të organizimeve të ndeshjeve të atilla.
Në fakt, ato mund të jenë nga më të ndryshmet, por disa modalitete eventuale janë tepër të disfavorshme për kosovarët, saqë edhe mund t’ua humbin rëndësinë e zhvillimit të ndeshjeve të ardhshme miqësore.
Kushte të tilla aspak të mira për vendin tonë mund të jenë që përfaqësuesja kosovare ndeshjet mos t’i zhvillojë fare me ekipin e seniorëve, por vetëm me juniorë e grupmosha të tjera të reja, eventualisht edhe me femra.
Kështu ka paralajmëruar edhe vetë zëdhënësi i FIFA-s, Walter de Gregorio. “Në atë mbledhje të dhjetorit, do të vendoset, për shembull, nëse do të luajnë ekipet e femrave, juniorët, pastaj detaje të tjera teknike. Do të përcaktohen kornizat administrative për ndeshjet në fjalë etj”, ka deklaruar ai për Albinfo, pa i përmendur fare seniorët kosovarë.
Në anën tjetër, edhe FFK-ja është e vetëdijshme se FIFA mund t’i qesë kushte të tilla. Por, krerët e saj luten që një gjë e tillë mos të ndodhë, ngase nuk do të dinë se çfarë të bëjnë.
“Duhet ta presim përfundimin e asaj mbledhjeje të dhjetorit për t’i parë modalitetet. Kërkesa jonë ka qenë e qartë dhe atë ia kemi përsëritur në çdo takim Sepp Blatterit dhe zyrtarëve të tjerë të FIFA-s. Kjo çështje nuk është në dorën tonë”, deklaroi Vokrri për Express.
“Këto modalitete vijnë për shkak që të evitohen përplasjet mes FIFA-s e UEFA-s, sepse UEFA pati abstenuar kur është marrë ai vendim për të na u lejuar të luajmë miqësore, ngase pesë shtete evropiane ende s’e kanë njohur Kosovën. Ato janë organizata të mëdha dhe nuk lejojnë përçarje mes veti për shkak të Kosovës, andaj atyre nuk u intereson fort se a do të na pëlqejnë apo jo, por megjithatë ne jemi optimistë se do të merret ndonjë vendim i favorshëm për ne”, theksoi ai.
Kohë më parë, ekspertë kosovarë të futbollit patën thënë për Express se FIFA mund ta obligojë edhe me mënyra të tjera FFK-në se si t’i organizojë ato ndeshje. Për shembull, që ato takime mos t’i organizojë brenda territorit të Kosovës, sepse në këtë mënyrë FIFA do të mundohet t’i bindë kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës, se vendimi i saj i marrë për Kosovën nuk nënkupton se edhe e ka njohur shtetin tonë. Po ashtu, sipas tyre, FIFA mund ta kushtëzojë FFK-në që në ndeshje miqësore përfaqësuesja e Kosovës të paraqitet pa simbole shtetërore etj.
Siç dihet, pas shumë shtyrjesh, në maj FIFA e lejoi Kosovën të zhvillojë ndeshje miqësore, por ky vendim pati ngjallur reagim të ashpër në Serbi, së cilës në mbrojtje i doli edhe UEFA. Por, megjithatë kreu i FIFA-s, Sepp Blatter ishte i prerë, duke konfirmuar se vendimi i kësaj organizate për Kosovën është i pakthyeshëm, por jo fuqiplotë, derisa të përzgjidhen modalitetet se si t’i luajë ato ndeshje.