E Diel, 1 Nëntor 2026

Trashëgimia kulturore, në rrezik

Nisma Mbahet nesër një tryezë e rrumbullakët për situatën alarmante të trashëgimisë kombëtare

Një tryezë e rrumbullakët me temë “Trashëgimia kulturore e rrezikuar” do të mbahet nesër paradite pranë ish-Institutit të Monumenteve të Kulturës. Mbështetur nga fondacioni “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, kjo tryezë do të fokusohet në evidentimin dhe diskutimin e problematikave nga të cilat vuan aktualisht Trashëgimia Kulturore Shqiptare, mbledhjen dhe diskutimin e propozimeve të pjesëmarrësve në tryezë, lëshimin e një mesazhi të fortë për situatën alarmante në të cilën gjendet trashëgimia kombëtare, si dhe prodhimin e një dokumenti të përbashkët të pjesëmarrësve të tryezës, drejtuar institucioneve shtetërore, qeverisjes vendore, medias dhe publikut. Sipas organizatorëve, situata aktuale e trashëgimisë kulturore shqiptare vjen me një inventar fizik shumë të dëmtuar. Shumë nga monumentet që mbërritën në vitet ‘90 të rrezikuara, tashmë janë zhdukur dhe bëjnë pjesë vetëm në kujtesën e brezit tonë. Në kushtet e krizës ekonomike, të parat që e pësojnë janë institucionet e trashëgimisë dhe vetë trashëgimia kulturore. Nevoja e qeverive për të siguruar burime financimi nëpërmjet shkurtimeve buxhetore, bën që jo vetëm të mos kemi rritje natyrale të buxhetit të caktuar për trashëgiminë, por përkundrazi të kemi shkurtime të këtyre buxheteve dhe në shumë raste edhe shuarje të zërave të veçantë. Buxheti i institucioneve përgjegjëse të trashëgimisë (kryesisht ai i Institutit të Monumenteve) është praktikisht inekzistent për çështje që kanë të bëjnë me ndërgjegjësimin publik, me publikimin e trashëgimisë, me përfshirjen nën mbrojtje të objekteve të reja etj. Niveli i ulët shkencor i institucioneve dhe ndikimet politike brenda tyre, bëjnë që rezistenca e këtyre institucioneve ndaj ndërhyrjeve abuzive në trashëgiminë kulturore të jetë shumë e ulët dhe jo efektive. Gjendja e objekteve të trashëgimisë kulturore që kanë kaluar në vartësi të njësive vendore, në përgjithësi është më e keqe sesa kur ishin në vartësi të pushtetit qendror. Varfërimi i njerëzve, kufizon edhe më tej mundësinë e tyre për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe restaurimin e saj, kur është pronë private. Në këtë takim kushtuar trashëgimisë pritet të marrin pjesë jo vetëm specialistë të fushës, por edhe dashamirës të trashëgimisë kulturore shqiptare, njerëz të cilën duan të ngrenë zërin në mbrojtje të saj.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›